Një 40-vjeçar shqiptar në Francë është ekzekutuar me armë zjarri nga persona të paidentifikuar.
Ngjarja, sipas mediave franceze, ka ndodhur në 3 ditë më parë më 24 Shkurt në qytetin Angouleme, përpara shtëpisë së tij.
Shqiptari, i identifikuar si Elis Alijaj, sapo kishte dalë nga banesa dhe po hipte në makinë kur u qëllua me armë zjarri, duke mbetur i vdekur në vend.
Fqinjët, të cilët dëgjuan të shtënat me armë, dolën të alarmuar. Aty ishte dhe partnerja e 40-vjeçarit Alijaj, që sipas fqinjëve, po bërtiste dhe ishte në gjendje shoku. Çifti janë prindër të dy fëmijëve.
Mediat franceze raportojnë se Elis Alijaj ishte qëlluar 3 herë, në kraharor dhe në këmbë.
Policia zbuloi një automatik brenda një furgoni të djegur në një zonë pyjore që mendohet se i përket autorit/ëve të krimit.
Elis Alijaj jetonte prej shumë vitesh në Francë. Me profesion hidraulik, banorët e zonës e përshkruajnë atë si një njeri të qetë, të sjellshëm, pa probleme dhe të integruar më së miri në komunitetin ku banonte.