Për kursimin e energjisë dhe reduktimin e emetimit zero të gazrave në ambient (dekarbonizimin), stoku i ndërtesave ekzistuese në rang vendit nevojitet t’i nënshtrohet investimeve për rinovim me vlerë 24 miliardë Euro deri në vitin 2050.
Në vendimin “Për miratimin e strategjisë afatgjatë të rinovimit të stokut të ndërtesave” i botuar në Fletoren Zyrtare përcaktohet se nga nevojat totale për investimet e rinovimit të ndërtesave ekzistuese deri në vitin 2050, rreth 69% e totalit të fondit të llogaritur kërkohen për sektorin rezidencial, 25% për sektorin e shërbimeve komerciale/private dhe rreth 6% për ndërtesat e sektorit publik.
Në strategji përcaktohet se për rinovimin, me qëllim kursimin e energjisë te ndërtesat e banimit është e domosdoshme të zhvillohen investime për termoizolimin e mureve, çatisë, dyshemesë, zëvendësimin e dritareve, zëvendësimin e sistemit të ngrohjes apo edhe instalimin e pajisjeve eficente për kursimin e energjisë te ndërtesat publike. Për rinovimin e stokut të ndërtesave të banimit vlera e investimit llogaritet 16,5 mld euro deri në 2050.
Për këtë kategori ndërtesash me qëllim nxitjen e investimeve propozohet skenari i mbështetjes me 50% të vlerës së investimit nga shteti dhe 50% të investimit nga familjarët. 50% e investimit nga pronarët e ndërtesave të banimit propozohet të mbështetet me skemat financiare, si: a) grant i cili mbulon një përqindje optimale të një vlere totale investimi të llogaritur; b) kredi e butë; c) paguaj sa kursen ose kontraktim i performancës energjetike.
Konsumatori gjithashtu do të ketë një çmim të mbrojtur të energjisë.
Në vitin 2023, numri i përgjithshëm i ndërtesave të banimit është llogaritur të jetë 632,936 (nga të cilat 450,545 ose 71,2% janë të banuara), me një sipërfaqe totale prej rreth 83,52 milionë m² (nga të cilat 56,06 milionë m² janë të banuara).
Deri në vitin 2050, numri i përgjithshëm i ndërtesave të banimit vlerësohet të arrijë në rreth 697,037 (nga të cilat 462,605 janë të zëna) me një sipërfaqe totale prej rreth 105.64 milionë m² (nga të cilat 94.92 milionë m² ose 89,9% janë të banuara). Krahasuar me 2023 numri i ndërtesave të banimit parashikohet të rritet 10%, ndërsa në sipërfaqe rritja pritet të jetë rreth 27%.
Në strategji theksohet se në vitin 2023 pesha e konsumit të energjisë nga stoku i ndërtesave të Shqipërisë (përfshirë ndërtesat rezidenciale, publike dhe private) ishte 37 38% të konsumit total final, duke u renditur si konsumatori i parë më i madh i energjisë me 37.08% i ndjekur nga sektori i transportit me 36.56% në Shqipëri. Kostoja për rinovimin e ndërtesave publike me qëllim kursimin e energjisë llogaritet 1,45 mld euro deri në vitin 2050, nga të cilat 795 mln euro për ndërtesat e qeverisë qendrore dhe 655 mln euro për ndërtesat publike të nivelit komunal.
Në vitin 2023, numri i ndërtesave publike është llogaritur të jetë 9492 me një sipërfaqe totale prej rreth 6.14 milionë m2. Deri në vitin 2050, numri i ndërtesave publike vlerësohet të arrijë në rreth 12,950 me një sipërfaqe prej 9.97 milionë m2.
Krahasuar me 2023, parashikohet që numri i ndërtesave publike të rritet 36% dhe 62% në sipërfaqen totale. Në strategji përcaktohet gjithashtu se investimi i parashikuar i pritshëm për dekarbonizimin e stokut të ndërtesave komerciale llogaritet 6 mld euro deri në vitin 2050. Në vitin 2023, numri i ndërtesave private të shërbimit dhe ato komerciale u llogarit afërsisht 85,098 me një sipërfaqe totale prej rreth 18.96 milionë m². Deri në vitin 2050, numri i ndërtesave private të shërbimit dhe ato komerciale vlerësohet të arrijë në rreth 107,481 me një sipërfaqe prej 35.65 mln m². Krahasuar me 2023, parashikohet që numri i ndërtesave publike të rritet 26% dhe 88% në sipërfaqen totale.
Dekarbonizimi i stokut të ndërtesave i referohet procesit të reduktimit ose eliminimit të emetimeve të dioksidit të karbonit CO₂) që gjenerohen nga ndërtesat gjatë gjithë ciklit të tyre të jetës. Kjo përfshin emetimet që krijohen gjatë fazës së ndërtimit (si prodhimi dhe transporti i materialeve), gjatë fazës së operimit (për energjinë e përdorur për ngrohje, ftohje dhe ndriçim), si dhe në fazën përfundimtare të jetës së ndërtesës (siç është prishja dhe menaxhimi i mbetjeve).
Qëllimi i dekarbonizimit të stokut të ndërtesave është të arrihet kalimi drejt ndërtesave me efikasitet të lartë energjetik, me konsum të ulët karboni dhe të qëndrueshme, përmes përmirësimit të izolimit termik, përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë, materialeve ndërtimore me ndikim të ulët karbonik dhe zbatimit të sistemeve inteligjente të menaxhimit të energjisë. Ky proces është jetik për përmbushjen e objektivave klimatike, pasi ndërtesat përbëjnë një nga sektorët kryesorë që kontribuojnë në emetimet globale të gazeve serrë. /Monitor