FIFA po shqyrton një propozim për të zgjeruar Kupën e Botës 2030 në 64 ekipe.
Ideja u hodh në një mbledhje të Këshillit të FIFA-s të mërkurën si pjesë e çështjeve të ndryshme.
Propozimi u bë nga Presidenti i Federatës Uruguajane të Futbollit, Ignacio Alonso.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, pranoi të shqyrtojë më tej këtë ide.
Infantino ka kërkuar vazhdimisht të zgjerojë dhe të rrisë ndikimin e turneut më të lakmuar sportiv që kur u zgjodh president i FIFA-s në vitin 2016.
Një propozim për të zhvilluar Kupën e Botës çdo dy vjet u hodh poshtë, por edicioni i ardhshëm në Meksikë, Kanada dhe SHBA do të ketë rritje të pjesëmarrësve nga 32 në 48 ekipe.
Spanja, Portugalia dhe Maroku do të jenë pritësit kryesorë të edicionit 2030, ndërsa ndeshjet përkujtimore do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai. Shtimi i 16 ekipeve të tjera do të krijonte sfida të mëdha logjistike për vendet organizatore, veçanërisht në lidhje me kohëzgjatjen e turneut, që me gjasë do të zgjaste të paktën gjashtë javë.