Ka disa që i mirëkuptoj që besojnë se Ukraina duhet ta vazhdojë luftën deri sa të fitojë. Se nuk lëshohen toka, territore. Edhe unë dakord jam. Por desha të kujtoj se ne nuk luftojmë, por u themi atyre të luftojnë. Edhe këtë po e le mënjanë.
Tani a e dinë se shteti shqiptar ka mbijetuar jo duke luftuar për të ruajtur territore, por duke lëshuar territore. E njohin apo jo historinë e Shqipërisë, apo vazhdojnë të mendojnë se kemi qenë heronj të pamposhtur?
Tragjike është, por kjo është e vërteta. Kur u shpall pavarësia territori që kontrollonte Ismail Qemali nuk ishte më shumë se Vlorë – Berat – Elbasan. Ky trekëndësh. Zero më shumë. Në Konferencën e Ambasadorëve iku pjesa jugore, i shkoi Greqisë. Më parë, Kongresi i BerlinIt dhe ç’e ndoqi pas c’kishte në malësitë veriore ia kaloi Malit të Zi. Zona perëndimore edhe ajo u këput. Kosova iku e iku. Kush bëzani?
Nuk luajti gishtin njeri. As Ismaili, as Zogu, as Enveri, Noli jo e jo, as pas pavarësisë së Kosovës nuk pati asnjë të thoshte ore ç’a do bëhet. Po pse? Argumentet që kanë dhënë kanë qenë se më mirë të ruajmë shtetin duke lëshuar territore, sesa të luftojmë për territore dhe rrezikojmë të humbim shtetin.
Të ishe patriot, pra, quhej të lëshoje territore!!!Jo t’i mbroje!Absurde, jo?
Por, e vërtetë! Sa kanë pasur të drejtë mund të diskutojmë, por që ka ndodhur ka ndodhur. Tani ne që kemi lënë territore dhe zhytur në kënetë dhe bregdet, kemi gojë t’i themi Ukrainës vdis por lufto!
Dakord, por sa është çmimi! Nuk e di. Mos edhe Ukraina ka nevojë për president një shqiptar?
Opinion nga Artan Fuga
