Barcelona anuloi ndeshjen kundër Osasunës të shtunën mbrëma pas ndarjes nga jeta të mjekut të ekipit të parë, Carles Miñarro Garcia.
Takimi ishte planifikuar të fillonte në orën 21:00 me orën lokale, por pak para nisjes u bë një njoftim zyrtar.
“FC Barcelona është thellësisht e trishtuar të njoftojë ndarjen nga jeta të mjekut të ekipit të parë, Carles Miñarro Garcia, mbrëmjen e sotme,” thuhet në deklaratën e klubit. “Për këtë arsye, ndeshja mes FC Barcelona dhe CA Osasuna është shtyrë për një datë të mëvonshme. Bordi i drejtorëve dhe i gjithë stafi i FC Barcelona shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe miqtë e tij në këtë moment të vështirë.”
Miñarro Garcia, 50 vjeç, iu bashkua stafit mjekësor të ekipit të parë të Barcelonës sezonin e kaluar, pasi më parë kishte punuar me ekipin e tyre të futsallit.