Ish-stari mjekësor i legjendës së futbollit, Diego Maradona, ka dalë para gjyqit në Argjentinë për akuzën e vrasjes nga pakujdesia, duke u përballur me deri në 25 vite burg pas vdekjes së tij në moshën 60-vjeçare në vitin 2020 teksa pësoi arrest kardiak.
Prokuroria e akuzon stafin mjekësor për neglizhencë të shërbimit.
Prokurori Patricio Ferrari pretendon se provat tregojnë se midis datave 11 dhe 15 nëntor 2020, Maradona u dërgua në një shtëpi në një lagje private në qytetin Tigre, në periferi të Buenos Airesit, ndërkohë që nuk ishte në “përdorim të plotë të aftësive të tij mendore”.
Ferrari tha se ky ishte një vendim i pamatur, pa asnjë kontroll.
“Pasi e dënuan me harresë në atë shtëpi… ata vendosën në mënyrë të qëllimshme dhe mizore që ai duhej të vdiste,” u shpreh prokurori duke treguar në seancë edhe fotot e trupit të pajetë të Maradonës kur u gjet në shtëpi.


I pandehuri kryesor është neurokirurgu Leonardo Luque, mjeku personal i Maradonës gjatë katër viteve të fundit të jetës së tij.
Gjashtë profesionistë të tjerë do të dalin në gjyq, përfshirë psikiatren Agustina Cosachov, e cila përshkroi ilaçet që Maradona mori deri në momentin e vdekjes, Nancy Forlini, koordinatore e kompanisë mjekësore të punësuar për kujdesin e Maradonës gjatë shtrimit në spital, dhe Dr. Pedro Di Spagna, i cili mbikëqyri trajtimin e tij.
Gisela Madrid, një infermiere e cila gjithashtu është akuzuar, do të gjykohet nga një juri më vonë këtë vit.
Të gjithë punonjësit e ekipit mjekësor mohojnë çdo përgjegjësi.
Ata e përshkruan Maradonën si një pacient të vështirë, i cili kundërshtonte trajtimin.