Lazarati dhe Lumi i Vlorës nuk do të kenë mundësi të mbjellin asnjë rrënjë kanabis pa leje ose me leje. Vendimi i qeverisë që ka miratuar 10 zonat kadastrale përjashton nga ky aktivitet dy zonat ikonë të hashashit.
Emisioni “FactCheck” zbardh për herë të parë sa qytete e fshatra do mbjellin drogë dhe sa hektarë.
Prej më shumë se sa një dekade territori shqiptar ka qenë nën vëzhgim nga toka e ajri për kultivimin e paligjshëm të kanabisit.
Fenomen në kufijtë e një “lufte” thuajse të humbur nga shtetit, deri në momentin që qeveria nëpërmjet një konsultimi publik i hapi rrugën kultivimin me ligj për qëllime mjekësore.
Pas ngritjes së agjencisë kombëtare të kontrollit të kanabisit, tashmë ky projekt është bërë edhe më konkret.
Kjo është VKM e siguruar nga Emisioni “FactCheck” ku qeveria ka përcaktuar edhe zonat ku do të lejohet kultivimi i ligjshëm.
Më datë 6 Mars 2025 qeveria vendosi “Miratimin e zonave kadastrale në të cilat lejohet kultivimi i bimës së kanabis-it për qëllime industriale, sipas shtojcave, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij. Ushtrimin e aktivitetit të kultivimit të bimës së kanabis-it për qëllime industriale, në përputhje me kufizimet e përcaktuara në vendimin nr.50, datë 22.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e standardeve për zonat dhe parcelat e tokës në të cilat do të lejohet kultivimi i bimës së kanabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale”.
E pas këtij vendimi Interesi dhe jo vetëm, po ashtu edhe kureshtja e publikut është e madhe.
Ku do të kultivohet kanabisi?
Emisioni “FactCheck” ka siguruar ekskluzivisht hartën e detajuar me vendndodhje si dhe sipërfaqen e lejuar për kultivim të kanabisit.
Ajo që bie në sy nga kjo hartë është fshirja e dy territoreve “autonome” të kanabisit prej tre dekadash.
Kanabis legal nuk do të kultivohet në zonën e Lazaratit si dhe në zonën e Lumit të Vlorës. Ndërsa do të jetë i lejuar në:
Shkodrës/ Malësi e Madhe, Tropojë, Dibër / Kukës, Belsh / Cërrik, Këlcyrë/ Përmet, Delvinë/Finiq, Dropull / Gjirokastër, Dropull/Finiq, Fier/Mallakastër si dhe në Has.
Janë këto 10 zonat kadastrate të përzgjedhura me vendim qeveria pas propozimit të Ministres së Bujqësisë zonja Anila Denaj.
Sa do të jetë sasia e tokës që do të lejohet kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore?
Referuar të dhënave ekskluzive të siguruar nga FactCheck në total do të mbillen me hashash 22.296 hektarë tokë.
Nga këto dy sipërfaqet më të mëdha do të jenë në Dropull/ Libohovë dhe në Tropojë përkatësisht me nga 3715 ha dhe 3685 ha.
Ndjekur më pas nga Dropull/Gjirokastër me 3220 ha, Belsh/ Cërrik me 2474 ha, Delvinë/ Finiq me 2454 ha, 1827 ha Shkodër/ Malësi e madhe, Këlcyrë/ Përmet me 1774 ha, Dibër/ Kukës me 1230 ha, Has me 973 ha.
Zona e konsideruar si hambari i tokës bujqësore në Shqipëri qarku i Fierit do të ketë numrin më të vogël të hektarëve me 666 ha të lejuar për kanabis.
Marrë nga emisioni “FactCheck” në MCNTV