Kombëtarja Shqiptare e futbollit ka ndryshuar fanelat e futbollistëve.
FSHF ka prezantuar fanellat e reja që ekipi do të veshë në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror FIFA 2026.
Lojtarët e drejtuar nga Silvinjo do të veshin fanellat e reja që në ndeshjen e parë të fazës së kualifikimeve që do të zhvillohet më 21 mars kundër Anglisë.
Fanellat e reja (fanella e parë e kuqe, fanella e dytë e bardhë dhe fanella e tretë e zezë) përbëhen nga një grafikë e veçantë e stampuar, e cila, duke nisur nga simboli i shqiponjës dykrenore, përfshin një seri të pasur referencash të elementëve natyrorë dhe kulturorë karakteristikë të Shqipërisë.
Brenda dizajnit të shqiponjës, e cila është e pranishme në mëngë, në pjesën e përparme dhe të pasme të fanellës, janë përfshirë shumë simbole, secili me një kuptim specifik: Shqiponja dykrenore, e ndërtuar nga detaje që pasqyrojnë bukurinë, natyrën dhe shpirtin e pasur shqiptar, mban në krahët e saj malin, lumin, diellin dhe detin, simbole të fuqisë dhe bukurisë së jetës sonë.
Fanella e parë për ndeshjet në shtëpi është në ngjyrën tradicionale të kuqe (ngjyrën e flamurit shqiptar) me një shirit kuq e zi në pjesën e qafës dhe skajet e mëngëve.
Fanella e dytë dhe e tretë pasqyrojnë saktësisht grafikën e fanellës së parë dhe dallohen për ngjyrën dominuese: Fanella e dytë është e bardhë me detaje kuqezi (pantallona të bardha me vijë anësore të kuqe dhe të zeza, çorape të bardha me vijë anësore të zeza dhe një vijë horizontale të kuqe);
Fanella e tretë është e zezë me detaje të kuqe (pantallona të zeza dhe çorape të zeza me vija anësore kuqezi).