Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Lulzim Berishës, ish-kreu të bandës së Durrësit.
Ai akuzohet për veprat penale vrasje me paramendim, vrasje me dashje e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje, grup i strukturuar kriminal.
Lulzim Berisha u ekstradua nga Spanja në Shqipëri dy ditë më parë, pasi SPAK e akuzon atë për vrasjen e Klodian Saliut në vitin 2005.
Lulzim Berisha u arrestua në Dhjetor 2023 në Spanjë, kurse në Gusht 2024 gjykata spanjolle dha miratimin për ekstradimin e tij në Shqipëri për llogari të autoriteteve tona.
Ish-kreu i bandës së Durrësit e kishte kundërshtuar ekstradimin.
Njoftimi i GJKKO:
1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 19.03.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “1. Marrje në pyetje të personit të arrestuar dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit, për të arrestuarin Lulzim Berisha, në lidhje me procedimin penal nr. 252, të vitit 2020; 2. Vazhdimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar me vendimin Nr. 115, datë 02.12.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të arrestuarit Lulzim Berisha”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, me vendimin Nr. 35, datë 20.03.2025 vendosi:
1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.115, datë 02.12.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurit Lulzim BERISHA, i biri i A. dhe i R., i datëlindjes ****, lindur dhe banues në ****, me shtetësi ****, me arsim ****, me gjendje gjyqësore ****, me gjendje civile ****, me ****, I DYSHUAR: Për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” në dëm të shtetasit K.S, “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit O.T, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 78/2, 76/22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.
2. Për ekzekutimin e ketij vendimi, ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokurorët E.K dhe A.Sh.
3. Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit nga palët, brenda pesë ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi.