Tre persona janë arrestuar pas aksidentit tragjik në mesnatë në aksin Vorë-Fushë Krujë ku humbën jetën katër djem të rinj. Në pranga ka rënë shoferi 24-vjeçar i betonierës Aleksandër Krrashi, që kishte ndaluar automjetin pa sinjalistikë në anë të rrugës dhe që nuk kishte patentë për drejtimin e mjetit të tonazhit të rëndë.
Aleksandër Krrashi – Shoferi i betonieres
Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor
Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt
Largimi nga vendi i aksidentit
Valentin Krrashi, kushëriri i shoferit
Përkrahja e autorit të krimit
Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës
Danjel Koxha, menaxheri
Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor
Fshehja e të ardhurave
Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë
Punësimi i paligjshëm
Gjithashtu janë arrestuar kushëriri i tij që e ndihmoi të largohej nga vendngjarja dhe menaxheri i firmës së betonit aty pranë. Ndërsa në kërkim policia ka shpallur administratorin e firmës së prodhimit të betonit.
Nga aksidenti i rëndë humbën jetën Enejdi Laçi, Andi Laçi, Erildi Laçi dhe Enrikejd Kurti. Pas përplasjes me betonieren, makina e tyre shpërtheu në flakët. Fatkeqësisht, të rinjtë u dogjën brenda automjetit.
Shkak sipas hetimeve ka qenë parkimi pa bllokazh dhe shpejtëdia e veturës ku udhëtonim katër viktimat.
POLICIA TIRANË:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, për aksidentin e ndodhur në Fushë Prezë, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-A. K., 24 vjeç, drejtuesi i automjetit betoniere, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në segmentin rrugor ”Vorë – Fushë Krujë”, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. L., 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonieren me drejtues shtetasin A. K. (pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh), që kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Nga goditja, automjeti tip “Mercedes Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi dhe 3 pasagjerët. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres është larguar nga vendngjarja;
-V. K., 25 vjeç, i afërm i 24-vjeçarit, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka larguar nga vendi i aksidentit, 24-vjeçarin;
-D. K., 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shtetasi A. K., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.
-Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi S. H., 27 vjeç. Punohet për kapjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.