Në një situatë ku mungesa e hapësirës fizike po pengon funksionimin e shërbimeve gjyqësore dhe zhvillimin e proceseve të gjykimit, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Qeveria kanë vendosur që Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të zhvendoset në një godinë të re në zonën e Astirit.
Ende nuk dihet nëse kjo godinë do të jetë një zgjidhje përfundimtare apo vetëm për një pjesë të trupës gjykuese. Megjithatë, një Vendim i Këshillit të Ministrave (VKM) ka sqaruar se KLGJ dhe Apeli nuk mund të ndryshojnë destinacionin e saj.
Prej disa kohësh, ish-kryetarja e KLGJ-së ka kërkuar një godinë të re me një sipërfaqe më të madhe. Për momentin, zgjidhja është gjetur duke liruar godinën aktuale të Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj, e cila ndodhet në rrugën “Teodor Keko” në Tiranë.

Pas shkrirjes së gjashtë gjykatave të Apelit në një të vetme në Tiranë, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka shpallur një thirrje publike për gjetjen e ambienteve me qira për Gjykatën e Apelit. Kërkohet që këto ambiente të kenë një sipërfaqe totale mbi 7,000 metra katrorë, të përfshijnë 26 salla gjyqësore dhe të jenë jo më larg se tre kilometra nga qendra e kryeqytetit. Kjo zhvendosje synon të adresojë mungesën e hapësirave aktuale, duke siguruar zyra për 78 gjyqtarë, ambiente për nëpunësit dhe hapësira për arkivin.
Shënim / Pas publikimit të këtij lajmi, KLGJ sqaroi për weblajm.com se godina e re do të jetë përballë parlamentit tek ish godina e vjetër e tatim paguesve të mëdhenjë. Ndërsa në kartel dhe VKM adresa rruga Teodor Keko i përket adresës aktuale të pronarit të ish godinës dedikuar për Gjykatë Apeli.
Foto e vendodhjes së Apelit të Ri
