Gazetari sportiv Saimir Demi është ndarë para kohe nga jeta për shkak të një sëmundje me të cilën luftonte prej vitesh.
57-vjeçari, i vlerësuar gjerësisht në komunitetin sportiv, humbi betejën me sëmundjen këtë të dielë.
Vëllai i tij, gjithashtu gazetar, Enkel Demi, ka njoftuar për humbjen e të afërmit të tij.
“Nuk është e lehtë, por duhet bërë ky njoftim. Vëllai im i vetëm, Saimiri iku tek Hyji sot në mesditë. I vetmi ngushëllim është që nuk vuajti dhe qe i rrethuar nga përkujdesi i mjekëve të Spitalit Infektiv dhe njerëzit e tij të zemrës. Pasdite do jemi tek selia e Alba 2000 tek ish Ambasada Jugosllave në Rrugën e Durrësit. Nesër në orën 12.00 do të bëhen homazhe në hollin e RTSH. Prej andej, në orën 14.00 do të çojmë Saimirin në banesën e fundit në Sharrë”, ka shkruar Enkel Demi në një postim në Facebook.
Edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gazetarit Saimir Demi.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të Saimir Demit, një gazetar i përkushtuar dhe një njeri i jashtëzakonshëm. Me të kemi ndarë biseda, analiza dhe opinione për sportin, veçanërisht për futbollin, një pasion që e udhëhoqi gjithë jetën e tij profesionale.
Një njeri i dashur dhe një profesionist i palodhur, Saimiri do t’i mungojë jo vetëm familjes së tij, por edhe komunitetit të gazetarëve dhe sportdashësve, ku kontribuoi me përkushtim për tre dekada.
Në emrin tim personal dhe në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, bashkëshortes dhe djalit të tij, si dhe të gjithë miqve që i qëndruan pranë.
U prehsh në paqe, Saimir! Do të të kujtojmë gjithmonë me respekt dhe dashuri”, ka shkruar Armand Duka në rrjetet sociale.