Sipas ministrit të Brendshëm turk Ali Yerlikaya, në periudhën 19 deri 23 mars në Turqi u arrestuan gjatë “demonstratave të paligjshme” 1,133 persona të dyshuar. Shoqata e avokatëve MPÇS tha se janë arrestuar edhe dhjetë gazetarë dhe fotografë.
Sindikata turke e medias Disk-Basin-Is e tha se kjo ishte përgjigjia e qeverisë ndaj protestave të vazhdueshme kundër burgosjes së kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu nga partia opozitare socialdemokrate CHP. Sindikata tha se ky është “sulm ndaj lirisë së shtypit dhe të drejtës së njerëzve për të mësuar të vërtetën”.
123 policë të plagosur
Imamoglu konsiderohet si sfiduesi politik me më shumë shance ndaj Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe u arrestua të mërkurën nën akuzën për korrupsion dhe terrorizëm. Këtë të dielë ai u mor në paraburgim dhe u shkarkua nga posti si kryebashkiak i Stambollit.
Në Stamboll, në kryeqytetin turk Ankara, por edhe në Izmir dhe qytete të tjera, po vazhdojnë protestat kundër arrestimit të Imamoglut.
Megjithë praninë masive të policisë dhjetëra-mijëra vetë dolën në rrugë për të protestuar pavarësisht ndalimeve zyrtare.
Në disa raste njoftohet për përleshje të dhunshme mes policisë dhe demonstruesve. Policia përdori pompa uji me presion dhe gaz lotsjellës.
Përpjekje për të eliminuar një kundërshtar politik
Kritikët e shohin arrestimin e Imamoglut si një përpjekje të qeverisë për të eliminuar një kundërshtar politik të presidentit Erdogan dhe i konsiderojnë akuzat si të sajuara.
Ekrem Imamoglu mund të jetë kandidat zyrtar për president vetëm nëse Komisioni Zgjedhor Turk YSK, i cili konsiderohet si pro-qeveritar, e konfirmon kandidaturën e tij. Por nëse hetimet për terrorizëm nuk janë ndërprerë deri në momentin e shqyrtimit të kandidaturës së tij nga komisioni, atehere kjo kandidaturë nuk ka gjasa të pranohet.
Përveç akuzave për korrupsion dhe terrorizëm kandidatura e Ekrem Imamoglut rrezikohet edhe prej një veprimi tjetër: atij iu revokua javën e kaluar diploma e universitetit. Ky vendimi nuk është ende i formës së prerë. Diploma universitare është parakusht për të kandiduar për president në Turqi. /DW