Papa Françesku ishte shumë pranë vdekjes teksa ishte në spital me pneumoni, saqë mjekët duhej të zgjidhnin nëse “do ta linin të shkonte, apo do të përpiqeshin më shumë”.
Kështu ka thënë mjeku që drejtonte ekipin e përkujdesjes ndaj Papës.
Papa 88-vjeçar qëndroi i shtruar më shumë se pesë javë në spitalin Gemelli të Romës, ku u trajtua për pneumoni në të dy mushkëritë. Kreu i Vatikanit doli nga spitali ditën e dielë.
“Ishim të vetëdijshëm se situata ishte përkeqësuar më tej dhe ekzistonte rreziku që Papa të mos ia dilte”, tha Sergio Alfieri, kirurg i përgjithshëm në spitalin Gemelli, në një intervistë për Corriere della Sera.
“Duhet të zgjidhnim nëse do të ndalonim trajtimin, ose të vazhdonim përpara dhe të përpiqeshim për ta shpëtuar me të gjitha ilaçet dhe terapitë e mundshme, duke rrezikuar shumë për të dëmtuar organet e tjera. Në fund, vendosëm këtë të fundit.”
Ka qenë infermierja personale e Papës që udhëzoi ekipin mjekësor të vazhdonin trajtimin, duke u thënë: “Provoni gjithçka, mos u dorëzoni”.
Papa ishte plotësisht i vetëdijshëm se mund të mos e kalonte natën. “Ne pamë një njeri që po vuante. Por që nga dita e parë ai donte që ne t’i tregonim të vërtetën për gjendjen e tij”, tha Alfieri për Corriere
Shëndeti i Papës filloi të përmirësohej dhe mjekët deklaruan më 10 Mars se ai nuk ishte më në rrezik.
Me insistimin e tij, Papa Francesku u kthye në Vatikan, ku do të vazhdojë trajtimin për të paktën 2 muaj deri sa të rikuperohet plotësisht.