Shtetasit e huaj investuan 380 milionë euro për blerjen e pronave në Shqipëri vetëm në vitin 2024, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje prej 17% dhe krahasuar me vitin 2023.
Pasuritë e paluajtshme janë kthyer në një magnet për kapitalin e huaj, duke zënë 24% të totalit të investimeve të huaja direkte (IHD) në vend. Pavarësisht rritjes së çmimeve që nga pandemia, kërkesa mbetet e fortë, veçanërisht përgjatë bregdetit, ku të huajt blejnë jo vetëm për të jetuar, por edhe si një mundësi investimi.
Deri në fund të vitit 2024, stoku total i investimeve në pasuri të paluajtshme arriti në 2 miliardë euro – një rekord i lartë dhe 30% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë që luhatjet e kursit të këmbimit kanë kontribuar në këtë rritje, Banka Qendrore thekson se pronat e paluajtshme mbeten zgjedhja kryesore për investitorët e huaj.
Pas pasurive të paluajtshme, sektori bankar tërhoqi 287 milionë euro investime, ndërsa industria nxjerrëse, tradicionalisht një sektor kyç, ka shënuar rënie – duke rënë në 214 milionë euro, 20% më pak nga viti 2023.
Ndërkohë, energjia po shfaqet si një alternativë e re premtuese investimi. Sektori tërhoqi 166 milionë euro në vitin 2024, me një rritje modeste prej 4%, e nxitur pjesërisht nga një rritje e interesit për energjinë diellore nga investitorët vendas dhe ndërkombëtarë.
Marrë nga Kapitali