Një tjetër skandal ka përfshirë sigurinë ushqimore të shqiptarëve. Pas mandarinave me pesticide vetëm pak kohë më parë, një ngarkesë disa tonëshe me fileto pule me salmonelë është ndaluar në Portin e Durrësit. Çështja është denoncuar në Prokurorinë e Tiranës dhe kanë nisur hetimet për skandalin e salmonelave të pulës të importuara nga Brazili dhe që u ndaluan në Portin e Durrësit.
Burime zyrtare konfirmuan se për të hetuar këtë skandal, me short është caktuar prokurori Platin Aliçka. Ky i fundit pritet që brenda 15 ditësh, të regjistrojë procedimin penal. Organi hetues tregohet i rezervuar mbi emrin e kompanisë që futi këto produkte në vendin tonë.
Por WebLajm ka arritur të zbulojë emrin e kompanisë. Porosia e pulave me salmonelë është bërë nga kompania AMG FOOD, me administrator Mondi Goxha. Kjo kompani ka përfituar fonde nga programi IPARD dhe është rast i përsëritur që e njëjta kompani fut në tregun shqiptar mish me salmonelë.

Shqetësim mbetet fakti nëse në treg është hedhur për shitje ky produkt i rrezikshëm për shëndetin.
Madje, ish-ministrja e Bujqësisë Frida Krifca e konsideronte këtë kompani si model suksesi.r
Njoftimi i AKU për skandalin e filetove të pulës me salmonelë dhe referimin në Prokurori:
Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, si dhe në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme dhe të strukturuara për të adresuar një situatë të identifikuar para disa ditësh gjatë proceseve të kontrollit të produkteve ushqimore të importuara në Portin e Durrësit.
Referuar analizimit në ISUV në datën 21.03.2025, për prani të Salmonella Typhimurium në një mostër produkt pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës.
Është inspektuar subjekti importues për ndjekjen e gjurmueshmërisë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale, për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron publikun se situata është në ndjekje të vazhdueshme dhe se çdo veprim është ndërmarrë në funksion të transparencës, sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve. Për çdo zhvillim të mëtejshëm, AKU do të vijojë të informojë në mënyrë të saktë dhe të përgjegjshme.
Lexo më shumë
Opinion nga Lutfi Dervishi
👇
Comments 1