Drejtuesja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen, është ndaluar të kandidojë për poste politike për pesë vjet pasi u shpall fajtore nga gjykata për përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian.
Kështu, ajo nuk do të mund të garojë në zgjedhjet presidenciale të Francës në vitin 2027.
Gjykatësi i çështjes tha se veprimet e Le Pen përbënin një “sulm serioz dhe të qëndrueshëm ndaj rregullave të jetës demokratike në Evropë, por veçanërisht në Francë”. Le Pen u largua nga salla e gjyqit përpara se dënimi i saj të lexohej i plotë.
Marine Le Pen u shpall fajtore së bashku me 8 eurodeputetë nga partia e saj dhe 12 asistentë. Ata u akuzuan për përdorimin e parave të Parlamentit Evropian për të paguar stafin që në fakt punonte për partinë e saj politike, Rally National (RN), në Francë.
Sondazhet e mëparshme treguan se Le Pen ishte në rrugën e duhur për të zëvendësuar Emmanuel Macron, i cili nuk mund të garojë për një mandat të tretë radhazi në detyrë.
Vendimi i gjykatës ka nxitur tashmë aleatët evropianë të krahut të djathtë të Le Pen të reagojnë në mbrojtje të saj. Vetëm pak minuta pas vendimit, Kryeministri hungarez Viktor Orban i dërgoi një mesazh solidariteti Le Pen. “Unë jam Marine”, shkroi ai në rrjetin social X.