Shënimin e tij si kundëpërgjigje për faktet e medias z.Redi Muçi, Inxhinjeri, Pedagogu, e mbylli këta jemi ne, kjo është politika dhe gazetaria shqiptare. Ecim!
Po Po, tani ecim por ka edhe fakte.
z.Muçi, Kta jeni Ju. Gazetarët thjesht lexojnë dokumentat që janë aty ose i rrëmojnë ose i gjejnë.
Teksa rrëmon jo shumë larg në vitin 1993 kur u krijua Kompania SCAI por në 2021, pra as 4 vite më parë Xhaxhai i kandidatit Redi Muçi. z.Maksim Muçi është i paguar si President i Shoqatës së Ndërtuesve, pra Presidenti i Oligarkëve.
Atyre që nipi i tij i cilëson se në këto tre dekada kanë krijuar rrumpallën.
WebLajm.com sjell dokumentat e pagës dhe funksionit të z.Maksim Muçi. Ky zotëri përmendet edhe në sqarimin e z.Redi Muçi. Sipas Redit, Xhaxhai i tij ja ka shitur aksionet Biznesmenit Ndërtuesit apo Oligarkut z.Artan Dulaku.
FAKSIMILE REGJISTRI


Dokumenti i Pagave i vitit 2021, aty janë të dhënat se z.Maksim Muçi ka qenë i Punësuar si President Organizate me pagë 15.000 lekë.
z.Muçi bën një reagim të gjatë por nuk tregon se sa janë shitur aksionet nga xhaxhai i tij tek z.Dulaku.
z.Muçi thotë se kurrë babai i tij ska fituar asgjë. As asokohe as sot.
Por xhaxhai rezulton se paska marrë postin më të lartë në shoqatën e cila njihet nga të gjithë si e përbër nga Oligark, Ndërtues apo kompani ndërtimi.
Teksa materialet për Fredi Muçin babain e kandidatit kundër Oligarkëve (jo të gjithëve ama) janë aty e po ashtu për xhaxhain President, pyetjet janë:
z.Redi Muçi: A i ka dhuruar xhaxhai yt aksionet e tij Babait tuaj dhe ortakut tjetër?
z.Redi Muçi a i ka shitur xhaxhai juaj pas dhurimit z.Artan Dulaku aksionet dhe me cilën vlerë?
Reagimi i Redi Muçit në FaceBook pas fakteve të publikuara nga gazetarja Ola Xama.
Mirëmbrema,
Në 3-4 ditët e fundit është përhapur lajmi se babai dhe xhaxhai im janë ortakë me oligarkët që kanë përfituar toka publike me 1 euro, se janë ndërtues dhe përfitues “me një përqindje të konsiderueshme” në një resort turistik në Ksamil. Madje jo vetëm kaq, por aludohet që vendin e parë në listën e Tiranës unë e paskam blerë me paratë e oligarkëve. Në radhë të parë dua të them se nuk më shqetëson aspak fakti se dikush ka shkuar dhe ka kërkuar mbiemrin Muçi në arkivën e QKB, sepse besoj se kushdo që merret me politikë duhet të ndodhet vazhdimisht nën syrin mbikëqyrës të publikut dhe duhet ta ketë gjithçka transparente: marrëdhënie pronësie, pasuri, llogari bankare, e shumëçka tjetër.Sidoqoftë, kur lajmi i sponsorizuar doli nga një portal anonim, nuk e mora seriozisht për faktin se në aktivitetin tonë politik jemi mësuar me akuza nga më të ndryshmet: sikur na paguan Sorosi, sikur na paguan Erion Veliaj, pastaj na paguan Sali Berisha, sikur na financon Putini, pastaj komunistët gjermanë, madje sikur Arlind Qori eshte pronar i pallatit që u ndërtua aty ku u shemb vila 1-katëshe që dikur ishte Logu ynë i përbashkët.Megjithatë, kur këtë lajm e shpërndan një gazetare investigative si Ola Xama, për të cilën – për hir të së vërtetës – deri sot kam ushqyer një farë respekti për punën e saj, e madje e përdor si argument se përse nuk do ta votojë Lëvizjen BASHKË, atëherë detyrohem të bëj një sqarim publik.Ku ka zë, nuk është pa gjë, thotë populli. E pikërisht, më duhet të sqaroj atë gjënë, atë qimen që këto ditë është bërë tra. A e dini se sa është “përqindja e konsiderueshme” me të cilën im atë na qenka ortak me Tan Dulakun?! 0.8%! Po, 0.8% si pronar toke! Me të drejtë shtrohet pyetja se pse im atë është pronar toke në Ksamil dhe këtu më duhet të kthehem pas në kohë, për të sqaruar ngjarjet me sa mundem në rend kronologjik.Babai im, Fredi Muçi, është pensionist, por në profesion ka qenë inxhinier ndërtimi. Njëjtë edhe xhaxhai, Maksi, i cili pa mungesë modestie duhet të them se është një ndër inxhinierët më të aftë që ka patur Shqipëria në këto 34 vjet. Në vitin 1993, të dy ata së bashku me një inxhinier tjetër të nderuar, Bujar Qirkon, ngritën një firmë ndërtimi me emrin SCAI – Societa construttiva albano-italiana, në bashkëpunim me investitorë italianë. Investitorët italianë ishin të interesuar në ndërtimin e një fshati turistik në Ksamil. Italianët kishin kapitalin investues, ndërsa shqiptarët ishin thjesht ndërtues, zbatues të punimeve, e detyrimisht jo pronarë.Në vitin 1995 pra u mor leja e ndërtimit dhe në vitin 1996 nisi ndërtimi i disa prej vilave të pushimit në Ksamil, diku te 70. Për fatin e keq të gjithë shqiptarëve, erdhi viti 1997 dhe gjithçka u ndërpre. Qeveria që e pasoi i zvarriti procedurat dhe diku aty nga fillimi i viteve 2000, pronari i kompanisë italiane vdiq. Pasardhësit e tij, jo vetëm që nuk donin ta vazhdonin projektin, por palës shqiptare – pra babait, xhaxhait dhe ortakut të tyre – nuk u shlyen as koston e punimeve që kishin bërë: diku te 80 mijë euro, që për ato vite ishte goxha kapital. Pala italiane e shiti projektin, me ndërtesat e gjithçka qe bërë deri atëherë, te një italian tjetër, i cili ishte ortak me Artan Dulakun. Nuk e di për ç’arsye as italiani i dytë nuk e çoi përpara këtë projekt. Di që Artan Dulaku u bë pronar i më shumë se 50% të tokës dhe është përgjegjës për të gjithë investimin që është bërë në tërë këto vite në atë zonë të Ksamilit. Ama Dulaku, njëkohësiht ftoi rreth 7-8 firma të tjera ndërtimi për të blerë aksione si pronarë toke, mes tyre edhe SCAI-n. Arsyeja kryesore pse firma SCAI u bë pjesërisht pronare toke ishte sepse nga ato 80 mijë eurot e investuara në vitin 1996 s’kishte parë gjë me sy, e në këtë mënyrë mund të kompensohej pjesërisht.Për ta mbyllur këtë rrëfim: xhaxhai dhe babai im morën secili nga 3.33%, por marrëveshja me pronarët e tokës u bë e tillë që ata do përfitonin vetëm 24% të investimit. Pra 3.33% të 24%, baras me 0.8% të investimit. Xhaxhai vendosi që t’ia shiste pjesën e tij Dulakut, ndërsa im atë është ende pronar “në letër” i 0.8%. Them në letër, sepse deri më sot nga ai investim babai im ka përfituar ekzaktësisht zero lekë. Pavarësisht se aty janë bërë investime dhe vijnë turistë, asnjëri prej pronarëve të vegjël nuk ka një hipotekë (në dijeninë time e të tim eti) apo një përfitim të drejtpërdrejtë nga investimi që ka bërë Dulaku. Shpresa e im ati është që një ditë, kur ta vendosë Dulaku, edhe atij do t’i takojë një 0.8%.Unë sfidoj këdo investigues profesionist, punonjës të FBI-së, apo gazetar shqiptar që të nxjerrë një letër të vetme ku thuhet se im atë ka përfituar 1 euro nga kjo “ortakëri”. E cila në fund të ditës është totalisht legjitime. Me të njëjtën logjikë, gjithkujt që është pronar toke në një shesh ndërtimi, mund t’i ngjitet akuza e “ortakërisë me oligarkët”. Unë nuk e di se çfarë do të ngelë në mendjen e opinionit publik nga ky rrëfim. Dashakeqët, ata që përnjëmend e kanë kafshuar bregdetin shqiptar me “investitorë strategjikë” duke zhvatur banorët lokalë, ata që duan të zbojnë “ata që vijnë nga mali për të ngulur çadrën”, ata që duan të marrin ujin e banorëve të fshatrave për të mbushur pishinat e tyre; ata padyshim do të vazhdojnë të ngrenë akuza. Dashakeqët, sidomos ata të cilët përnjëmend financohen nga Sorosi, përnjëmend kanë legalizuar me firmat e tyre plaçkitjen e bregdetit shqiptar, të cilët potencialisht janë vegla në duart e partive të vjetra, ata padyshim se do t’i fryjnë tymit të ngritur. Sido qoftë puna, unë jam krenar për babanë dhe xhaxhanë tim, për modelin e tyre të të qenit njëkohësisht edhe ndërtues me profesion, edhe të ndershëm në xhunglën shqiptare të 34 viteve. Inxhinier ndërtimi është edhe profesioni im, pavarësisht se unë në jetë zgjodha të merresha me botën akademike dhe me aktivizmin politik. Është sidomos falë prindërve të mi që unë jam sot këtu, duke kërkuar të përfaqësoj popullin e Tiranës në parlamentin shqiptar. Është falë mundësisë që më dhanë për t’u shkolluar jashtë shtetit, por edhe falë mbështetjes së tyre financiare pa të cilën edhe unë do detyrohesha që ta siguroja jetesën si inxhinier ndërtimi, siç bëjnë qindra kolegë e ish-studentë të mitë.Po sidoqoftë, mos prisni që tymi të venitet. Edhe pse kompania SCAI ka 10 vjet që nuk ushtron aktivitet, për “të birin e ortakut të oligarkut” do të thonë se i ati ka ndërtuar kulla. Po u paraprij unë gjithë kuisjeve duke thënë se në ato vite aktivitet ndërtimor, kompania SCAI ndërtoi në vitin 2003 pallatin 9-katësh ku unë banoj, dhe tre pallate banimi te Pazari i Ri. Atëherë kur ende tregu nuk ishte zaptuar nga ata pak oligarkët rrotull Edi Ramës, oligarkë të cilët lejen nuk e kërkonin më për të ndërtuar apartamente banimi, por për kulla 60-katëshe. Mes tyre edhe Tan Dulaku.Unë nuk kam frikë ta përmend emrin e Dulakut, e të askujt prej oligarkëve të tjerë të ndërtimit: Ulaj, Fusha, Salillari, Gjoka, etj. Kjo është arsyeja pse në programin qeverisës të Lëvizjes BASHKË ne kërkojmë moratorium për të pezulluar ndërtimet brenda Unazës së Tiranës, pse propozojmë rritjen e taksave ndaj investitorëve të ndërtimit, pse kërkojmë që kapitali të mos vazhdojë të investohet në këtë sektor spekulativ por në sektorët prodhues. Por të gjitha këto nuk i interesojnë Ola Xamës, e cila e ka ndarë mendjen të mos e votojë Lëvizjen BASHKË. E në punën e saj kolosale investiguese, zbuloi edhe që Stela është motra ime, e që ajo garon në listën e hapur të vendlindjes sonë, Gjirokastrës. Por Ola nuk arriti të zbulojë se Stela është edhe aktiviste në Lëvizjen BASHKË pothuajse po aq gjatë sa edhe unë, se është diplomuar në Paris në arkitekturë, e më tej në urbanistikë, e më tej në shkenca sociale, e se aktualisht po zhvillon studimet e doktoratës në Paris me temë zhvillimin urban të Tiranës pas viteve ‘90. Të gjithë këto gjëra nuk i zbuloi dot Ola, e cila nuk do të votojë Lëvizjen BASHKË.
Këta jemi ne. Kjo është politika dhe gazetaria shqitare. Ecim!