Dosja media
E dinë gazetarët dhe gazetaret e televizioneve, sidomos moderatorët e emisioneve që marrin në intervistë kandidatë për deputetë, rolin e tyre para publikut apo jo?
Pa përgjithësuar në mënyrë absolute, shoh prej tyre, gra a burra, që nuk e ekuptojnë sa dhe si duhet se cili është misioni i tyre përpara publikut.
Ka që bëjnë pyetje dhe presin përgjigje, pastaj lexojnë pyetjen e radhës pa lidhje me përgjigjen e marrë. Ky është debat shurdhësh.
Ka ca që shohin me sy të përdëllyer kandidatin politik, a thua se ju dhimbset i gjori në vend t’i çjerrin maskën e propagandës dhe ta bëjnë për ujë të ftohtë në të mirë të publikut.
Ka të tjerë që merren me çështje tretësore, jo e lagu, jo se lagu, sa për të shtyrë minutat e emisionit dhe për të treguar kollaren e bukur ose dekoltenë e hapur.
Ka ca që nuk ja kanë haberin për dosjet që duhet trajtuar, nuk dinë të dhëna, por hanë çdo gjë që u thuhet sikur të ishin ballokume Elbasani.
Ka të tjera dhe të tjerë që quajnë emision të nxehtë kur kandidatët rivalë ndërpresin njëri tjetrin, gjasme debatojnë dhe publiku nuk merr vesh asgjë.
Asnjë e dhënë vizuale nuk paraqitet.
Merren si të vërteta çfarë thonë kandidatët.
Pa ekspertë në studio.
Asnjë lidhje tv me audiencat, aktorët e interesit.
Ka dalë formula idiote një politikan dhe një “analist” në të majtë, një politikan dhe një “analist” në të djathtë, si shqytarë këta shoqëruesit, dhe ping – pong pa pikë bereqeti.
Asgjë për personalitetin e kandidatëve.
Merren me gjëra të vjetra që edhe gjyshi im i dinte kur ishte gjallë. Jo lista të hapura jo të mbyllura,
jo pasaporfta çeke, jo letërnjoftimi bullgar,
jo unë i ri, jo ti i vjetër, debat me nuanca të rënda genocidiste dhe bulliste, tmerr!
Pastaj në paqe, pas emisionit i fusin një kafe me kandidatët dhe ndahen si krushq pas vizitave për nderrim nishanesh.
Ore, e kuptoni se luan fatet e Shqipërisë, apo kush po e çan trapin!
*Nga Artan Fuga
