Kryeqyteti bardheblu ! Tirana shpëton sezonin me fitoren ndaj Partizanit në derbi.
Tirana fitoi pastër në derbin ndaj rivalëve të përjetshëm të Partizanit, me rezultatin 3-0.Në një atmosferë elektrizuese në stadiumin “Arena Kombëtare”, me praninë e rreth 10 mijë spektatorëve skuadra e Bledi Shkëmbit mori kontrollin e lojës që në fillim, duke qenë më kërkuese në sulm.
Spanjolli Soler kishte rastin e parë për shënim, por mesfushori gaboi gjithçka në zonë, duke gjuajtur jashtë. Goli nuk vonoi shumë dhe në minutën e 19-të, Ndreca ekzekutoi thuajse perfekt një gjuajtje të fortë nga goditja e dënimit, e cila u përplas në tranversë. I vëmendshëmsulmuesi francez Zharmuni, dërgoi me kokë topin në fundin e rrjetës.
Edhe pse në avantazh, bardheblutë nuk i ndalën sulmet, duke kërkuar me ngulm golin e dytë. Partizani provoi të reagojë me Podsterlov dhe Bintsuka, por pa sukses.Goditjen e dytë e dha sërish Zharmuni.
Sulmuesi fitoi penallti pas një prekje me dorë dhe nga pika e 11 metërshit u tregua i saktë, duke mposhtur Alban Hoxhën për herë të dytë, për të kompletuar dopietën personale.






Në fundin e pjesës së parë, Smaçi i’u afrua edhe golit të tretë, por gaboi gjithçka me gjuajtjen e tij, e cila shkoi jashtë.Një gabim në prapavijën e të kuqve, u shfrytëzua maksimalisht nga Ernest në minutën e 67-të.
Sulmuesi nga Liberia përfitoi nga një top i Sembene dhe fitoi penallti, pas faullit të portierit.11 metërshin e mori përsipër vetë Ernest, i cili realizoi të tretin në këtë përballje. Partizani gjeti golin me Kekon në minutën e 88-të, por u anulua për pozicion jashtë loje.Me këtë fitore, Tirana ngjitet në vendin e tetë me 35 pikë të grumbulluara dhe e bën të jetë në lojë për luftën për mbijetesë.
Ndërkohë Partizani rrezikon vendin e katërt, pasi Elbasani ndodhet vetëm një pikë larg teksa në fund do të kenë edhe një përballje direkte, për të kapur zonën “final four”.