Gjatë vitit të kaluar janë raportuar më pak raste të dyshimta për pastrim parash dhe financim të terrorizmit. Sipas raportit vjetor të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, në 2024 janë regjistruar 1,632 raportime për aktivitete të dyshimta, një rënie me 5.5% në krahasim me 2023.
Bankat vijojnë të jenë ato që raportojnë më tepër, ndjekur më pas nga noterët dhe shoqëritë e transfertave.
Megjithatë, llogaritur me vitin 2023, ka pasur një rritje me 13% të raportimeve nga shoqëritë e transfertave, me 100% të shoqërive të tregtimit të mjeteve motorike dhe shoqërive të pagesave elektronike, ndërsa konstatohet një rënie me 66% të raportimeve për pastrim parash dhe financim të terrorizmit të dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me 50% të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, por rënie ka edhe nga bankat, noterët dhe zyrat e këmbimit valutor.
Edhe për vitin 2024, sasia e parasë së pisët që pastrohet nëpërmjet sistemit financiar vjen nga krimet në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, mashtrimi, korrupsioni, rastet kur personat kanë pasur precedentë të mëparshëm kriminalë apo procedim të mëparshëm.
Pavarësisht se rastet e raportuara si të dyshimta për pastrim parash kanë qenë më pak se në 2023, vlera e pasurive të bllokuara kap shifra rekord. Gjatë 2024 janë nxjerrë në total 11 urdhra bllokimi të përkohshëm për llogari bankare, në një vlerë totale prej rreth 10.7 milionë euro, të cilat janë sekuestruar me vendim të Prokurorisë apo Gjykatës në masën 97%.
Aktivitetet e dyshimta për pastrim parash dhe financim të terrorizmit lidhen me depozitime të parasë fizike në vlera të larta, me burim të panjohur ose të pajustifikuar të fondeve; transferta të dyshimta (në mbërritje apo në dalje edhe në tentativë) me përfshirje të subjekteve, shtetasve të huaj dhe të pajustifikuara me dokumentacion mbështetës; kryerja e transaksioneve të copëzuara me qëllim për shmangien nga raportimi nën pragun e përcaktuar; tërheqjet në vlera të larta, pa argumente të besueshme për arsyen e këtyre veprimeve apo destinacionin e fondeve; veprime financiare të lidhura me dyshime për evazion fiskal ose fshehje të ardhurash dhe të tjera.
Si rezultat i mospërmbushjes në nivelin e duhur të përputhshmërisë me kuadrin rregullator për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, janë vendosur gjoba në një vlerë totale prej 4.6 milionë lekësh për 12 subjekte, shumica prej të cilëve ndaj noterëve. /SCAN