Një rast i pazakontë në sistemin e drejtësisë vjen nga qyteti Sao Paulo në Brazil, ku një gjyqtar ka përdorur identitet të rremë për 23 vjet.
José Eduardo Franco dos Reis, një emër mjaft tipik në Brazil, ai hyri në shkollën juridike dhe shërbeu për më shumë se dy dekada si gjyqtar duke përdorur emrin e rremë Edward Albert Lancelot Dodd Canterbury Caterham Wickfield.
Në vitin 1995, sapo kishte kaluar provimin për t’u bërë gjyqtar, Wickfield pohoi në një intervistë për një gazetë braziliane, se ai ishte djali i një çifti aristokratësh anglezë, i lindur në Brazil, por i rritur në Mbretërinë e Bashkuar deri në moshën 25-vjeçare.
Ajo që policia dhe prokurorët në Brazil po e quajnë tani një mashtrim, u zbulua vetëm së fundmi dhe doli në vëmendjen e publikut pas një artikulli të gazetës G1.
Në muajin Tetor 2024, duke e identifikuar veten si Wickfield, ai vizitoi një zyrë qeveritare në Sao Paulo për të rinovuar kartën e tij të identitetit.
Të gjitha dokumentet e tij ishin me emrin e rremë, por numri i regjistrimit të certifikatës së lindjes përputhej me atë të një burri brazilian të quajtur dos Reis. Kur policia kontrolloi të dhënat dhe gjurmët e gishtave, konfirmuan se ishte i njëjti individ.
Sipas asaj që dihet deri më tani, dos Reis filloi të prezantohej si Wickfield në fillim të viteve 1980.
Policia thotë se ai falsifikoi certifikatën e tij të lindjes, hyri në shkollën juridike të Universitetit të São Paulo dhe filloi të punonte si gjyqtar në vitin 1995, duke qëndruar në gjykatë deri në pensionimin e tij në 2018.
Kur u mor në pyetje pasi iu zbulua mashtrimi, pohoi se Wickfield ishte vëllai i tij binjak, i dhënë për birësim si fëmijë tek një çift britanik.