Mes pasigurisë së vazhdueshme rreth gjendjes së tij shëndetësore, kampioni i Formula 1 Michael Schumacher ka marrë lajme të gëzueshme.
Shtatë herë kampioni i botës është bërë gjysh për herë të parë.
Vajza e tij e madhe, Gina Schumacher, ka njoftuar lindjen e fëmijës së saj të parë, Millie, një ngjarje që ka sjellë lumturi në familje.
“Mirë se erdhe në jetë, Millie. E lindur më 29 Mars, zemrat tona janë më të mbushura se kurrë. Ndihemi vërtet të bekuar që të kemi në jetën tonë”, shkruan vajza e Michael Schumacher në mesazhin e saj.
Që nga viti 2013 kur dhe pësoi aksidentin në ski, gjendja e Michael Schumacher mbahet tërësisht private dhe larg vëmendjes së opinionit publik.
Disa javë më parë, një gazetar i afërt me familjen Schumacher, tha se Michael nuk mund të komunikojë më verbalisht. Ai është tërësisht nën kujdesin e ekipit shëndetësor. Sipas tij, familja lejon rreth 20 persona që të qëndrojnë pranë Michael Schumacher.