Federata Shqiptare e Futbollit ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjet e Kampionatit Europiani U-17 që zhvillohet në Shqipëri.
Ky kompeticion madhor do të zhvillohet në katër stadiume; “Arena Kombëtare”, “Elbasan Arena”, “Niko Dovana” dhe “Egnatia Arena”.
Në “Arenën Kombëtare” do të luhen gjithsej 5 ndeshje, përfshirë sfidën hapëse, dy ndeshje të fazës së grupeve, një gjysmëfinale dhe finalja e madhe. Në “Elbasan Arena” do të zhvillohen katër takime, ku përfshihen tre ndeshje të fazës së grupeve dhe një gjysmëfinale. Ndërkohë, në stadiumet “Egnatia Arena” dhe “Niko Dovana” do të luhen nga tre ndeshje të fazës së grupeve.
Stadiumet janë të ndara në sektorët Kategoria 2, Kategoria 1 dhe VIP.
Çmimet e biletave për ndeshjet e fazës së grupeve dhe gjysmëfinalet janë:
Kategoria 2 – 400 lekë
Kategoria 1 – 800 lekë
VIP – 3,500 lekë
Për finalen që do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare”, çmimet për Kategoria 2 do të jenë 500 lekë, për Kategoria 1 do të jenë 1,000 lekë dhe për VIP do të jenë 5,000 lekë.
Biletat shpërndahen vetëm nga kompania T-Ticket, dhe të gjithë të interesuarit mund t’i blejnë ato vetëm online, në faqen ebileta.al.