Punonjësit e disa institucioneve shtetërore kanë përfituar dy ditë pushim në datat 15 dhe 16 Maj.
Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave ditën e sotme dhe është i vlefshëm vetëm për punonjësit e administratës në Tiranë, Kamzë, Vorë dhe Krujë.
Përjashtim bëjnë punonjësit e Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, Gardës së Republikës, Zjarrfikësit dhe punonjësit e sistemit shëndetësor.
Arsyeja e caktimit ditë pushimi është për shkak të Komunitetit Politik Europian që mbledhjen e radhës do ta zhvillojë në Tiranë më 16 Maj. Në kryeqytetin shqiptar do të mbërrijnë liderët e shteteve të Europës.
VENDIMI I QEVERISË:
CAKTIMIN E DATAVE 15 DHE 16 MAJ 2025 DITË PUSHIMI PËR PUNONJËSIT E DISA INSTITUCIONEVE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE
Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Caktimin e datave 15 dhe 16 maj 2025 ditë pushimi për punonjësit e institucioneve të administratës shtetërore, me seli në territoret e bashkive Tiranë, Kamzë, Vorë dhe Krujë, me përjashtim të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të shërbimit zjarrfikës dhe të punonjësve të sistemit shëndetësor.
- Dita e punës së datave 15 dhe 16 maj 2025, për punonjësit e institucioneve të administratës shtetërore, sipas pikës 1 të këtij vendimi, do të zëvendësohet në ditët e pushimit brenda vitit 2025.
- Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore, të përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.