Shërbimet spitalore të ofruara nga sektori privat tashmë janë vënë nën lupën e Autoritetit të Konkurrencës, për shkak të dyshimeve për shkelje të ligjit përmes ofrimit të shërbimeve ekskluzive.
Autoriteti i Konkurrencës njofton se, pas miratimit të Rezolutës nga Kuvendi i Shqipërisë, ka vendosur të hapë një hetim ndaj dy subjekteve: American Hospital SHA dhe International Hospital SHA, në tregun e shërbimeve spitalore.
Në një deklaratë zyrtare thuhet:
“Autoriteti i Konkurrencës vendos nën hetim paraprak American Hospital SHA dhe International Hospital SHA në tregun e shërbimeve spitalore.”
Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij të datës 09.04.2025, shqyrtoi raportin e monitorimit të tregut të shërbimeve spitalore. Në kuadër të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Autoriteti realizoi procedurën e monitorimit të këtij tregu.
Gjatë monitorimit u konstatua se ndërmarrjet American Hospital SHA dhe International Hospital SHA (kjo e fundit tashmë e bashkuar me përthithje nga American Hospital SHA) zotërojnë një pozitë dominuese në treg, në kuptim të nenit 8 të Ligjit nr. 9121/2003. Gjithashtu, të dhënat paraprake tregojnë se për disa shërbime të caktuara dhe ekskluzive, këto ndërmarrje mund të jenë subjekt i vlerësimit sipas nenit 9 të të njëjtit ligj.
Për këtë arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1173, datë 09.04.2025, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj këtyre ndërmarrjeve në tregun e shërbimeve spitalore.
Hetimi paraprak do të mbulojë periudhën nga 1 janari 2022 deri më 31 dhjetor 2024.