Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Elbasanit kanë kryer kontrolle në disa biznese në Elbasan që dyshohen të kenë lidhje me Suel Çelën, i cili është i shpallur në kërkim i akuzuar si kreu i një organizate kriminale.
Kontrollet janë kryer me vendim të GJKKO pas kërkesës së SPAK.
Por zyrtari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në një reagim publik akuzoi policinë se nuk ka zbatuar urdhrin e SPAK dhe braktisi BKH-në për kryerjen e kontrolleve.
Ndërkohë, vetë SPAK, duke ju përgjigjur interesimit të WebLajm, hedh poshtë pretendimet e Këlliçit duke thënë se gjatë këtij aksioni patën mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe të Drejtorisë së Policisë Elbasan.
KËRKESË PËR INFORMACION DREJTUAR SPAK DHE BKH
Përshëndetje,
SPAK dhe BKH kanë kryer kontrolle sot në qytetin e Elbasanit. Në disa dhe subjekte politike është pretenduar se Policia e Shtetit ka refuzuar të zbatojë urdhrat e SPAK.
Keni një koment?
Ka bashkëpunuar apo jo policia me SPAK dhe BKH?
Sa kontrollë jane kryer?
Sa forca policie ka kërkuar SPAK?
Nëse keni kërkuar ndihmesën dhe bashkëpunimin e policisë, ka qenë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme apo policisë lokale, qarku Elbasan?
PËRGJIGJIA E SPAK:
Në përgjigje të pyetjes suaj:
Sot, më datë 10 Prill 2025, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kryer disa veprime hetimore në qytetin e Elbasanit, për të cilat ka pasur bashkëpunimin dhe mbështetjen e plotë të Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Policisë Vendore, Elbasan.
DEKLARATA E BELIND KËLLIÇIT:
Rama e shfrytëzon dhe e poshtëron SPAK-un sipas nevojës. Sot policia e Prodës nuk zbatoi urdhrin e Prokurorisë së Posaçme për të kontrolluar tregun e Suel Çelës!
Deklaratë e sotme për mediat!
Të nderuar qytetarë,
Sot policia e Prodës nuk ka zbatuar detyrën si institucion i shtetit, por urdhrin e kreut të narko-qeverisë, Edi Rama.
Narko-drejtori i policisë ka refuzuar të zbatojë një urdhër të Prokurorisë së Posaçme për të kontrolluar tregun e Elbasanit, bazën e aktiviteteve të paligjshme të bandës kryesore të Ramës dhe PS në rajon, grupit të Suel Çelës.
Ky është një veprim jo vetëm në kundërshtim me ligjin, por edhe dëshmi e dorëzimit të shtetit në duart e krimit të organizuar.
Rama e shtyn dhe e frymëzon SPAK kur ka nevojë, dhe i vihet kundra, e poshtëron kur i prek interesat.
Ky është standardi i tij me drejtësinë dhe Europën.
Më shumë se kaq, kjo është përpjekje e hapur e Edi Ramës që, me anë të bandave të kontrollojë e vjedhë edhe këto zgjedhje.
I alarmuar nga qëndrimi i Këshillit të Europës dhe Parlamentit europian në takimet me liderin e opozitës Sali Berisha, Edi Rama po ruan të paprekur infrastrukturën kriminale të grabitjes së zgjedhjeve.
Partia Demokratike u bën thirrje aleatëve ndërkombëtarë të reagojnë për këtë faqe të errët ne librin e zi të rekordeve të Ramës dhe qeverisë së tij.
Rama që ka banditët në krah, ka popullin kundër.
Më 11 maj, të kthejmë shtetin në anë të qytetarit dhe të së drejtës dhe Ramën ta hedhim në koshin e plehrave të historisë!