Një video e shpërndarë masivisht në rrjetet sociale ku një luan i mbajtur në kushte shtëpie sulmoi një qytetar, ka vënë policinë në lëvizje.
Uniformat blu zbuluan se rasti është regjistruar në Fier në fshatin Zharrëz.
Policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 52-vjeçarin A.H. që mbante luanin në shtëpi.
Kafsha sulmoi një mikun e pronarit të banesës, por fatmirësisht shpëtoi pa lëndime.
Pronari i tha policisë se luanin e kishte gjetur në rrugë në Lushnje 6 muaj më parë dhe se para 1 muaji kafsha kishte ngordhur.
Njoftimi i Policisë Fier:
•Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një kafshë e egër (luan) që kafshon një shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për përcaktimin e përgjegjësisë dhe zbardhjen e rrethanave.
Në përfundim të këtyre veprimeve u identifikua shtetasi që kishte në pronësi kafshën, A. H., 52 vjeç, banues në fshatin Zharrëz, për të cilin, pas konsultimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”, pasi dyshohet se e ka mbajtur kafshën, në banesë, në kundërshtim me rregullat.
Shtetasi A. H. ka deklaruar se kafshën e ka gjetur në Lushnjë, në rrugë, 6 muaj më parë, kur ajo ishte e vogël dhe e ka mbajtur në banesën e tij, për disa kohë. Më tej, ai ka deklaruar se para 1 muaji e gjysmë, kafsha ka ngordhur.
Punohet për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.