Igli Gjelishti themeloi dev.al në mars te vitit 2010, pas një eskperience të gjatë në Top Channel të nisur që në moshën 18-vjeçare. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, dev.al është shndërruar në një nga ofruesit kryesorë të zgjidhjeve software dhe shërbimeve digjitale në Shqipëri. Ky përvjetor jubilar shënon një moment reflektimi mbi rrugëtimin e kompanisë, sfidat e kapërcyera dhe sukseset e arritura. Në këtë intervistë ekskluzive, themeluesi i dev.al ndan me ne perspektivën e tij mbi këtë rrugëtim, bilancin e viteve të punës dhe vizionin për të ardhmen. Nga produktet inovative si devBooks e deri te investimi strategjik në sektorin Fintech me platformën Pago, kompania ka vazhduar të zgjerojë ndikimin e saj në tregun shqiptar dhe më gjerë.

15 vjet nga themelimi i dev.al. Çfarë nënkupton për ju ky moment?
Është një moment i rëndësishëm. Është përvjetori i parë jubilar, kur ne kemi mundësinë të ndalemi një çast dhe të reflektojmë, sepse 10-vjetori erdhi në mars 2020, një moment kur ne dhe gjithë bota kishim gjëra më ekzistenciale mbi të cilat duhet të mendonim e reflektonim.
Si është bilanci i këtij reflektimi?
Mund të them pa mëdyshje që është tejet pozitiv. Kur e nisa këtë rrugë, tregu i teknologjisë dhe inovacionit sigurisht nuk ishte ky që është sot, por kishte një konkurrencë tejet të fortë dhe aktorë me një histori të gjatë e të konsoliduar. Të bëje vend për veten, kërkonte një kombinim faktorësh, por më kryesori në mendimin tim, ishte korrektësia. Në këto 15 vjet, mendoj që aspekti ku nuk kemi lëshuar në asnjë moment, ka qenë korrektësia dhe përgjegjshmëria në plotësimin e angazhimeve që kemi marrë kundrejt klientëve, qoftë kjo në dorëzimin e shërbimeve për të cilat jemi kontraktuar, ashtu edhe në produktet tona që sot janë kryefjala e aktivitetit tonë. Numrat e bilancit janë përtej atyre që do kisha guxuar të shpresoja 15 vjet më parë:
90 punonjës, 23 mijë klientë dhe dhjetëra projekte të dorëzuara me sukses.
Cili ka qenë çelësi në arritjen e këtyre rezultateve?
Siç e thashë, nevojiten disa faktorë, ku kryesori është korrektësia, por që të garantosh korrektësinë nuk mjafton vetëm vullneti. Duhen edhe kushtet, edhe faktorët e nevojshëm dhe në këtë rast, pa dyshim faktori kyç janë njerëzit, pra burimet njerëzore. Merita më e madhe që i njoh vetes në këto vite, është identifikimi i bashkëpunëtorëve të duhur dhe krijimi i kushteve të nevojshme për ta. I quajta jo pa qëllim bashkëpunëtorë dhe jo punonjës, sepse janë njerëz që janë në dev prej 7, 9 apo 11 vjetësh dhe ADN-ja e tyre është pjesë e ADN-së së dev-it, po aq sa imja, madje në ndonjë rast edhe më shumë.
Si është ecuria e produkteve tuaja sot?
E mirë dhe konstante. Numri i subjekteve të biznesit që sot përdorin produktet tona është rreth 23 mijë, me një rritje rreth 12% nga një vit më parë. Përgjigjja ndaj produktit tonë të ri, devBooks, i prezantuar vetëm 5 muaj më parë në Future2Tech, i ka tejkaluar pritshmëritë tona.
Një vit më parë ju njoftuat zgjerimin drejt sektorit financiar me blerjen e kuotës kontrolluese të Rubicon dhe platformës së tij, Pago. Si ka qenë ky vit?
Pago operon në një treg të ndryshëm, që ka më shumë të panjohura e më shumë vështirësi. Ky vit ka qenë një punë përgatitore, për ngritjen e një strukture solide në pozitat kyçe drejtuese dhe operacionale. Mund të them që kemi krijuar një skuadër të mirë dhe rezultatet e para po fillojnë të duken tani. Siç e thamë dhe në njoftimin e një viti më parë, investimi drejt Pago ishte një lëvizje e natyrshme në plotësimin e ofertës sonë drejt bizneseve.
Ne sot kemi klientë, për shembull hotele, që:
- menaxhojnë aktivitetin dhe rezervimet me devPMS
- fiskalizojnë faturat me devPOS
- mbajnë kontabilitetin në devBooks dhe
- pranojnë pagesa online ose fizikisht me Pago
Të gjitha të kombinuara në mënyrë të tillë për të evituar gabime, dublikim veprimesh dhe procese të panevojshme manuale. Është një ofertë aktualisht në treg e pakonkurrueshme.
Si e përshkruani rolin e Pago në ekosistemin financiar shqiptar; cilat janë shërbimet kryesore që ofroni dhe si ndihmojnë ato në lehtësimin e pagesave për qytetarët shqiptarë?
Jo vetëm Pago, por i gjithë sektori i atyre që njihen si Fintech, është një risi shumë pozitive për tregun, diçka e provuar dhe e vërtetuar në shumë vende të zhvilluara, me rezultate konkrete në uljen e barrierave në marrjen e shërbimeve financiare.
Shërbimet e Pago janë të shumta, që nga krijimi dhe pajisja me një llogari rrjedhëse në pak minuta nga telefoni, pa nevojë për t’u paraqitur në një degë fizike, pagesat e shpejta e pa komision të faturave, deri te pajisja me kartë debiti Mastercard me kushtet më të favorshme në treg, me një pagesë simbolike fillestare dhe në vijim pa asnjë tarifë mujore apo vjetore mirëmbajtjeje dhe pa komisione për blerjet në Shqipëri e jashtë saj, përfshirë ato online.
Për individët, Pago është jo vetëm një mjet efikas për menaxhimin e financave personale pa asnjë kosto, por falë disa produkteve të reja që do të prezantojmë së shpejti, do të sjellë edhe përfitime financiare. Ndërsa për bizneset, falë edhe kombinimit që përmenda më sipër me produktet tona, një mundësi e jashtëzakonshme për të lehtësuar proceset e pagesave.
Cilat janë përfitimet kryesore që sjell integrimi i Shqipërisë në SEPA për përdoruesit e Pago dhe si ndikon kjo në shërbimet tuaja?
Pa asnjë dyshim është një lajm shumë i mirë, edhe për ne si ofrues shërbimi, edhe për përdoruesit e Pago. Integrimi në rrjetin e SEPA-s do të hapë për ne mundësi dhe shërbime të reja, ndërsa për përdoruesit tanë, lehtësi dhe ulje domethënëse kostosh.
Shpresojmë që procesi të vijojë pa vonesa dhe brenda muajit tetor të jenë kryer të gjitha hapat e nevojshëm për të qenë gati. Flas për hapat burokratikë dhe institucionalë, sepse për ato teknike që janë në dorën tonë, nuk ka asnjë dyshim që do të jetë kështu.
Si po kontribuon Pago në edukimin e klientëve lidhur me uljen e përdorimit të parasë cash?
Nuk është një sipërmarrje e lehtë. Ne si shoqëri kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë me paratë cash. Fatkeqësisht, ka edhe të rinj që punojnë në fushën e inovacionit që ditën që marrin pagën, shkojnë në bankomat dhe e tërheqin cash të gjithë (ose aq sa është limit i lejuar i bankomatit). Jemi duke u përpjekur të japim incentivat e duhura dhe të theksojmë avantazhet e pagesave elektronike. Do të jetë një rrugë e gjatë, por rezultatet e para po fillojnë të duken.
Si e shihni të ardhmen e sektorit të pagesave në Shqipëri dhe rolin e Pago në këtë zhvillim?
Është një rrugë pa kthim, paralel me digjitalizimin e proceseve të tjera. Shumë shpejt do të jetë e pamendueshme si për shitësin ashtu edhe për blerësin, që dikush të bëjë një porosi online dhe pagesën t’ia dorëzojë postierit. Edhe kartat fizike gradualisht do të humbasin rëndësinë e tyre dhe pagesat do të jenë gjithnjë e më të automatizuara, me click-to-pay apo me përdorimin e telefonit apo të orës.
Roli dhe detyra e Pago në këtë drejtim është që paralelisht me zgjidhjet inovative, të ofrojë shtresën e nevojshme të sigurisë, për t’i dhënë përdoruesve besimin dhe garancinë e nevojshme. Është pikërisht kjo për të cilën po punojmë pa rreshtur dhe me shumë motivim.
Ky artikull është publikuar në numrin 37 të revistës Businessmag