Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, zhvilloi një takim me studentët dhe pedagogët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Durrësit, ku theksoi rëndësinë e drejtësisë, llogaridhënies dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në forcimin e shtetit ligjor.
Në fjalën e tij, Dumani u shpreh se ishte kënaqësi të ishte pjesë e këtij takimi, duke vlerësuar larmishmërinë e temave që u diskutuan. “Kënaqësi të gjendem këtu. Larmia e temave është tërheqëse, por qenia ime sot këtu është në vazhdën e takimeve të organizuara edhe në universitete të tjera për të vazhduar komunikimin tonë ndërinstitucional”.

Dumani theksoi se besimi dhe drejtësia janë elementë kyç për një shoqëri të shëndetshme dhe funksionale. “Pa drejtësi nuk mund të ketë paqe dhe pa llogaridhënie nuk mund të ketë demokraci”, shtoi ai, duke nënvizuar rëndësinë e reformës në drejtësi dhe rolin e SPAK si një prej produkteve më të rëndësishme të saj.
“SPAK u krijua për të goditur fenomenet që dëmtojnë shtetin dhe ka treguar se ushtron të drejtën ndaj çdo subjekti, pavarësisht lidhjeve me krimin e organizuar apo pozicionit të tij”, tha Dumani.
Ai pranoi se mbetet ende shumë punë për të çrrënjosur krimin e organizuar dhe theksoi se ndërtimi i një sistemi të drejtësisë së paanshme kërkon bashkëpunimin e shumë institucioneve.