Spanja dhe Portugalia po përballen me një ndërprerje totale të energjisë elektrike. Po kështu edhe në disa zona të Francës raportohet të ketë probleme me energjinë.
Qytete të tilla në Spanjë si Madridi, Sevilja, Barcelona dhe Valencia kanë mbetur pa internet dhe energji elektrike, duke shkaktuar kaos në udhëtimet në aeroportet e tyre.
Pjesë të rrjetit nëntokësor të Madridit janë evakuuar gjithashtu, dhe semaforët nuk po funksionojnë në qytet.
Edhe rrjeti hekurudhor është pezulluar tërësisht.
Operatori i rrjetit elektrik të Spanjës, Red Electrica, ka konfirmuar ndërprerjet e energjisë elektrike në të gjithë vendin.
Ndërkohë, në Portugali, ndërprerja goditi kryeqytetin Lisbonën, dhe zonat përreth, si dhe pjesët veriore dhe jugore të vendit.
Ngjarja, që konsiderohet e paprecedentë, mund të normalizohet pas disa orësh. Mediat në Spanjë raportojnë se do të duhen 6-10 orë për të rikthyer energjinë, duke ju referuar një drejtuesi të Operatorit Spanjoll të Energjisë.
Shkaqet e këtij blackouti energjetik janë të paqarta.