Pas ish vartësit të tij Klodian Rrepaj dhe Bosit të Sterilizimit në burg për aferën 100 milion euro, SPAK vë në hetim për shpërdorim detyrë edhe ish ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj.
Me kërkesë të Prokurorit Ervin Kondili, gjyqtari Erion Bani ka caktuar masën e detyrim paraqitje dhe bllokim pasaporte për Beqajn.
Prej Gushtit 2023 SPAK dhe GJKKO kanë nisur me masat e sigurisë për këtë aferë duke dhënë 6 masa sigurie, mes tyre edhe mjek dhe rektorin e Mjeksisë Arben Gjatën.
WebLajm mëson se ditën e hënë ora 12:00 Beqaj do duhet të paraqitet në gjykatë për tu njohu me masën e sigurisë dhënë ndaj tij në mugnesë.
Njoftimi Zyrtar i SPAK
Në datë 13.01.2020, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020 që bën fjalë për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.
Në vazhdim të hetimeve për këtë procedim penal, me kërkesën të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.119 akti datë 16.11.2023 ka vendosur si më poshtë vijon:
· Caktimin ndaj personit nën hetim I.B. me detyrë ish-Ministër i Shëndetësisë, të masës së sigurimit “Detyrim për paraqitje në Policisë gjyqësore” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 234 dhe 233 të K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
· Urdhërohet personin nën hetim I. B. që të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15.30.
· Urdhërohet personin nën hetim I.B. të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.
· Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe mjeteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim I.B..
Vendimi për caktimin e masës së sigurimit personal është ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (në datën 17.11.2023).
Hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.
Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë
Në një postim në Fb ish ministri ka reaguar duke përmendur me emër gjyqtarin që urdhëroi hetimin e tij! Nuk dihet nqs ky e santazh apo presion, pasi çuditërisht Beqaj ka harruar emrin e prokurorit që i ka përgatitur letrat për masë.
Reagimi Beqaj në FB
Mbrëmjen e djeshme, menjëherë pas kthimit tim nga një udhëtim pune jashtë vendit, jam kontaktuar nga oficerë të SPAK/BKH, të cilët kërkuan paraqitjen time në mjediset e tyre, për të më komunikuar dhe dorëzuar një kopje të vendimit të datës 16.11.2023, të gjyqtarit të posaçëm, z. Erjon Bani, dhënë në bazë të kërkesës së bërë nga vetë organi i Prokurorisë, nëpërmjet të cilit ishte vendosur që për nevoja të procedimit penal nr. 13, të vitit 2020, që lidhet me çështjen e quajtur te sterilizimit, ndaj meje të merrej masa e sigurimit “detyrim për paraqitje në Policinë Gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Edhe pse kam rezerva serioze lidhur me disa aspekte të vendimit në fjalë dhe avokatët e mi, në identifikim të një sërë shkeljeve procedurale dhe materiale që në këtë fazë të procesit më kanë sugjeruar ankimimin e këtij vendimi, unë kam vendosur të mos e ankimoj këtë vendim dhe ti nënshtrohem me vullnet të plotë kërkesave dhe garancive që ky proces hetimor kërkon për zhvillimin e tij normal dhe të rregullt. Disponibiliteti im karshi zbardhjes sa më parë të së vërtetës së kësaj çështje shkon përtej kufizimeve të lirive të mia vetjake dhe madje përtej një afati normal kohor, tashmë disa vjeçar.
Përpos kësaj, për të garantuar integritetin e procesit hetimor dhe për të shmangur çdo keqinterpretim të mundshëm të ndikimit tim si zyrtar në këtë proces, kam vlerësuar gjithashtu që të ndërpres angazhimin tim aktual si drejtues i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.
Unë shpresoj që kjo çështje të zgjidhet shpejt dhe në mënyrë të plotë, duke vënë drejtësinë dhe të vërtetën mbi çdo paragjykim dhe sulm politik. Besoj fort që ajo çka kemi arritur me sterilizimin ka qenë një domosdoshmëri dhe më e mira e mundshme që ne mund të bënim në realizimin e një objektivi të tillë ambicioz si kujdesi per shendetin e shqiptareve. Besoj fort që në fund të këtij procesi emri im do të pastrohet përfundimisht nga çdo akuzë e pabazuar.