WebLajm zbardh rrëfimin e vrasësit serial Sokol Mjacaj i cili pasi grabiste vriste personat. Rrëfimi është dhënë pak orë pasi ai vrau dy turistë Çek më datë 3.7.2015, ndërsa ky krim ishte i dyti në CV e tij ku sapo kish dal nga burgu.
Sokol Mjaçaj, rrëfen se sapo doli nga banesa e tij në fshatin Lotaj, Pult, ka vendosur të dalë në rrugë për të grabitur ndonjë makinë me turistë, të cilët gjatë sezonit të verës vizitojnë zonën e Dukagjinit. Për këtë arsye, rreth drekës është veshur, ka marrë automatikun dhe dy karikatorë që i mbante në shtëpi, i ka futur në një çantë sportive ngjyre të zezë me shirita jeshile dhe të bardha dhe ka dalë në rrugë. Sipas të pandehurit, në vendin në fjalë ka pritur afro dy orë, dhe më pas aty ka kaluar mjeti tip Nissan Patrol, ngjyrë gri, me targë Çeke CZ 4P89798, me udhëtarë viktimat Michal Svatos dhe Anna Kosinova. Po sipas të pandehurit ai i ka përshëndetur shtetasit në fjalë, e më pas iu ka kërkuar (duke komunikuar me shenja) që ta merrnin në makinë por, drejtuesi mjetit i ka bërë shenjë se nuk kishte vend dhe nuk e ka marrë, duke tentuar të vazhdojë lëvizjen me makinë. I pandehuri shpjegon se ka bërë sikur nuk ka kuptuar dhe është futur me forcë në mjet. Kjo e ka nervozuar viktimën Michal Svatos, i cili e ka zbritur nga mjeti. Në këtë moment, i pandehuri Sokol Mjaçaj ka nxjerrë automatikun nga çanta dhe ka qëlluar në ajër disa herë, duke e detyruar viktimën ta ndalojë mjetin. Pasi ka hyrë në mjet, i pandehuri është ulur pas pasagjerit dhe shoferit, duke mbajtur automatikun e mbushur, me fishek në fole, në drejtim të dy viktimave. Për të evituar që këta të fundit të lajmëronin policinë, në momentin që ka hipur në mjet, iu ka marrë këtyre shtetasve aparatin celular. Sipas të pandehurit plani i tij ka qenë që t`i grabiste sapo të afrohej në zonën e quajtur Ura e Shtrenjtë, pasi sipas tij nuk donte që grabitjen ta kryente pranë fshatit pasi në rast se do e kryente krimin në atë zonë, të gjithë do të dyshonin tek ai. Rreth orës 20.00, në momentin që mjeti është afruar afër zonës së quajtur Ura e Shtrenjtë, pikërisht në lagjen Mes-Lum, viktima Michal Svatos ka bërë disa manovrime me mjet. Për këtë arsye, i pandehuri sipas deklarimeve të tij, duke menduar se viktima Michal Svatos, me këto veprime, ka dashur t`i marrë automatikun, e ka qëlluar këtë shtetas dy herë me armë zjarri, e më pas ka qëlluar sipas të pandehurit pa dashje gjatë përmbysjes së makinës një herë pasagjeren Anna Kosinova, duke iu shkaktuar këtyre shtetasve vdekjen e menjëhershme. Pas vrasjes së dy shtetasve në fjalë, i pandehuri ka dalë nga xhami i dritares së mjetit, i cili ishte përmbysur në njërën anë, në mes të rrugës, duke lënë brenda në mjet automatikun që i kishte rënë nga dora në momentin e përmbysjes së mjetit dhe ka lëvizur në këmbë në drejtim të kundërt me të. Sipas të pandehurit gjatë rrugës i ka kërkuar një personi me motor që ka kaluar afër nëse mund ta merrte me vete. Personi në fjalë, të cilin e pandehuri deklaroi se nuk e njeh, e ka marrë në mjet dhe së bashku kanë lëvizur në drejtim të vendit ku i pandehuri kishte kryer krimin. Kur është afruar aty, po sipas të pandehurit ai ka konstatuar një shtetas, ky shtetas njihej nga personi që e mori në motor pasi ai e thirri në emër dhe quhej pikërisht Pëllumb. Më pas, i pandehuri ka lëvizur me këtë shtetas dhe për disa kilometra, e më tej ka vazhduar i vetëm. I pandehuri Sokol Mjaçaj ka deklaruar se nuk ka arritur të vjedhë asgjë nga viktimat e tij për shkak të përmbysjes së makinës. E vetmja gjë që ka marrë sipas tij ka qenë telefoni celular të cilin e kishte futur në xhep që në momentin e parë kur ka hipur në makinë. Sipas të pandehurit këtë telefon i’a ka shitur shtetasit Agostin Delija.