Një aksion masiv ka zbuluar se si në Kakavijë trau i doganës ngrihej me bekimin e policiëve kufitarë, doganierëve dhe zyrtarëve që shkelnin ligjin.
WebLajm sjell pamjet ekskluzive të kamionëve të sekuestruar sëbashku ma mallrat.
Njoftimi AMP/trukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, mbi bazën e informacioneve të administruara në rrugë operative, përgjatë aksit rrugor Kakavijë – Fier kanë ndaluar 4 kamiona të tonazhit të rëndë, një trajler me rimorkio dhe një furgon të ngarkuar me mallra të ndryshëm, të papajisur me dokumentacionin përkatës për mallrat e importuara, me qëllim verifikimin e dokumenteve, me të cilin ishin pajisur nga punonjësit e Degës Doganore Kakavijë.
Pas verifikimit të kryer, Policia Gjyqësore e AMP, në bashkëpunim me Sektorin kundër Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, në zbatim të urdhërit të Prokurorisë, kanë arrestuar në flagrancë si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”;
– A.A., Doganier, me detyrë përgjegjës turni në Degën Doganore Kakavijë;
– E.SH., Doganier fizik në Degën Doganore Kakavijë;
– U bë shpallja në kërkim e shtetasit A.M., me detyrë Doganier i parkimit, si dhe e 3 punonjësve të Antikontrabandës, me shërbim në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, shtetasit F.R., N.S. dhe G.SH.
Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabandë me mallra të tjera”, i shtetasve (drejtues të automjeteve dhe posedues të mallrave të importuara);
– V.D., 40 vjeç;
– TH.M., 48 vjeç;
– R.I., 41 vjeç;
– A.XH., 45 vjeç;
– A.M., 50 vjeç;
– F.O., 39 vjeç;
– U procedua në gjendje të lirë shtetasi P.Q.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa dhjetra ton mallra të padeklaruara, aparate telefonikë celular, vlera monetare, etj.
Vijon kryerja e veprimeve hetimore procedurale, për inventarizimin e mallrave të sekuestruar, këqyrjen e aparateve telefonikë celular, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e instaluara në këtë pikë doganore, me qëllim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, duke u fokusuar tek punonjësit e Policisë Kufitare dhe përcaktimin e rolit të secilit prej tyre.
Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” dhe “Të kontrabandës me mallra të tjera”.
Pas aksionit ka reaguar edhe Dogana, ku me firmë të Kryedoganierit janë pezulluar edhe dy doganierët e kapur në shkelje të ligjit.
Drejtoria e Përgjithshme njofton se të gjithë personat e përfshirë janë pezulluar nga puna dhe se ka nisur hetimin e thelluar sipas legjislacionit në fuqi.
Konkretisht janë pezulluar: Ardit.A, Eliod.Sh he Arben.M (doganierë), Astrit Xhaxha Arjan Mustafaj Fatjon Osmani (punonjës të Antikontrabandës).
“Komisioni disiplinor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave vendosi pezullimin nga puna për punonjësit e Degës Doganore Kakavijë dhe grupit të Antikontrabandës, për moszbatim të proçedurave doganore.
Bazuar në Kodin Doganor theksojmë se është përgjegjësi personale e çdo punonjësi që të zbatojë procedurat sipas Kodit Doganor dhe Kodit të Etikës, të njihet me pasojat e moszbatimit të tij, si dhe të ruajë imazhin dhe statusin e Administratës Doganore.
Strukturat ligjzbatuese të ADSH-së kanë nisur hetimin e thelluar sipas legjislacionit në fuqi për këtë rast.
Administrata Doganore bashkëpunon me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese për të ndëshkuar çdo abuzim me detyrën”- thuhet në njoftim.
Aksioni është përgëzuar edhe nfa Balla:
Reagim i Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla:🇦🇱 Një bravo🙏 e merituar për Agjensinë e Mbikqyrjes Policore e cila ka goditur mbrëmë gjatë natës një rast flagrant kontrabande duke arrestuar fajtorët. Policia e Shtetit dhe Agjensia e Mbikqyrjes Policore do të rrisin forcën goditëse ndaj të gjitha formave të krimit ekonomik. Goditja e mbrëmshme është një mesazh i qartë ndaj kujtdo, të cilit i shkon në mendje të kthejë pas kohën e kaluar, kur “ngrihej trau” për të mbushur xhepat e disa personave, na bën më të vëmendshëm për t’i goditur fort këto tentativa.