Përpara se Arben Kraja të zgjidhej drejtuesi i SPAK në 2019 e prokurori i posaçëm, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka kërkuar të dhëna nga autoriteti për informimin e dokumentave të sigurimit të shtetit.
Edhe pse akuzat publike nga politikan e masivisht nga ish Kryeministri Berisha se z.Kraja ka qenë pjesë e sigurimit të shtetit nuk kanë mugnuar, zyrtarisht me dokumenta rezulton se kjo është e pavërtet. Sipas dokumentave të autoritetit të dosjeve, z.Kraja rezulton se ka qenë Hetues i Prokurorisë por jo anëtar i Sigurimit të Shtetit.
Ja se çfarë thuhet në Dokumentin me datë 3 Prill 2019
“Për Zotin Arben Isa Kraja, nga verifikimet e kryera deri më tani, nuk figuron të ketë materiale, në dokumente të ish sigurimit të shtetit në emër të tij”, thuhet në vendimin e firmosur nga Gentiana Sula kryetare e Autoritetet dhe anëtarët Altin Hoxha, Simon Miraka dhe Mareglen Kasmi”.
E teksa akuzat bëhen edhe sot nga z.Berisha i cili po hetohet nga Arben Kraja dhe Enkeleida Millonai, rezulton se informacionin për Krajën tek arkivi për sigurimin e shtetit e ka kërkuar Qeverisja e Prokurorëve, KLP-ja përpara se ta emëronte.
Kërkesën për z.Kraja KLP e ka ëbrë më 21 Shkurt 2019 e jo si një emër i veçuar por si listë e garuesve për tu bërë anëtarë të Prokurorisë së Posaçme, ku pas dy muaj verifikime KLP është informuar në Prill.
Këto verifikime janë kryer në bazë të ligjit për Dekriminalizimin i cili ndalon që anëtarët e sigurimit të shtetit të jenë pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë.
Në përgjigjen zyrtare Për KLP nuk ka munguar edhe një mendim paralel i anëtarit Mareglen Kasmi, i cili thotë se Kraja ka qenë hetues por ska hetuar vepra penale që lidhen me të burgosur politik e ligjin e dekriminalizimit.
Nga verifikimet e kryera deri tani, rezulton se, shtetasi Arben Isa Kraja, ka qenë me detyrë hetues në Hetuesinë e Rrethit Shkodër në vitin 1990, pra përpara datës 2 korrik të vitit 1991 që është edhe fushëveprimi i ligjit mbi bazën e të cilit vepron Autoriteti. Nga përmbajtja e dokumentacionit që ndodhet në arkivat tona, rezulton se Z. Arben Kraja, ka hetuar një çështje penale në ngarkim të dy të pandehurve për kalim të paligjshëm të kufirit në bashkëpunim. Si vepër penale, kalimi i paligjshëm i kufirit bën pjesë në kreun 8-të “Krime kundër rendit administrativ” dhe jo në kreun “Krime kundër shtetit” vepra penale këto të parashikuar në kreun e parë neni 47 të Kodit Penal të vitit 1977. Si e tillë vepra penale kalim i paligjshëm i kufirit, nuk bën pjesë në kategorinë e veprave penale në kuptim të ligjit nr. 7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, dhe si rrjedhim nuk bën pjesë në fushën e veprimit të ligjit nr. 45/2015 neni 2 sipas të cilit “Ky ligj zbatohet për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë dhe që lidhen me veprat penale politike të parashikuara në ligjin nr. 7514, datë 30.9.1991”.