Elvis Myrta hyri në shtëpinë e Big Brother Vip 3 pa bujë, ndonëse një gazetar me rrjet të gjerë komunikimi dhe “propagande” që mund ta promovonin siç ndodh rutinisht në spektakle të këtij formati, pse jo ta kishte në maksimum audiencën që në fillim. Ai vetë i tillë është dhe ashtu ndodhi, të hynte pa bujë si një qytetar i zakonshëm. Të dilte në mes të publikut në studio, e jo të zbriste nga limuzina luksoze fjala bie. Të hynte përmes një dere e jo përmes një komeracialiteti e pompoziteti. Të hynte duke hequr këpucët, ashtu tamam si në shtëpinë e çdo shqiptari ndodh, e jo duke u mpleksur e mrekulluar me luksin e një banese, asaj më të famshmes së momentit.
Lisi nuk vlerësoi për asnjë çast abazhurët e shtrenjtë, të ndante territorin e tij apo të shprehte preferenca. Ai madje edhe dollapin e rrobave tha se mund ta përdorte kush të donte, se kanotieret do i mbante në valixhe po të jetë nevoja. Lisi hyri si njëri prej nesh, me thjeshtësi, pa shprehi inferioriteti por as superioriteti, por si një djalë që ka respekt dhe disiplinë për dhe ndaj vetes e për e ndaj të tjerëve. Ai foli pak këto 24 orë, teksa kjo nuk është aspak dobësia e tij, por mënyra se si njerëz me krenari të tillë futen në zemrat e të tjerëve për atë ç’ka janë e jo ç’ka thonë se janë. Një gazetar i kronikës së zezë që ka mbase më shumë se kushdo tjetër informacion për të ndarë, vendos të jetë i matur dhe i duruar, në pritje të çastit të tij, jo për të filluar luftën por për të vendosur paqen mes miliona njerëzve që e ndjekin në pikën se… “po shyqyr, dikush dalka me qenë edhe “VIP” edhe i yni si një nga ne”.
Fiksojeni këtë, Elvis Myrta do dalë nga ajo shtëpi jo si ai që është vetëm për kolegët e tij në terren, për ata që është vetëm për ata që ka në familje a rrethin shoqëror e së fundmi edhe për ata me të cilët po bashkëjeton sot, por ai do të jetë Lisi i të gjithëve. Pra kur ndjekësit ta njohin Lisin që njohin ata që përmenda më sipër, atij nuk do i shtohen followersat, paratë a sendet materiale, por zemrat që e duan, zemrat e bukura shqiptare që përfaqëson. Lisi e bëri hedhjen e parë në ujërat e trazuar të një formati ngërthyes për audiencën, por ai ende s’ka bërë asgjë. Absolutisht vetëm fillimi!
Nga Fatjon Gjinaj