Maradona Cenolli është personi i cili kishte ndërtuar rrjetin e trafikut të mjeteve Greqi-Shqipëri. Operacioni i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore ka zbuluar se mejtet merreshin me qira model Peugeot, me dokumentat e mjetit me qira marrë në Greqi i dublikohej numri i shasisë, mjetit që vidhte grupi i drejtuar nga Maradona. Më pas mjeti i vjedhur me shasi të modifikuar i njëjti model me atë të marr me qira (Peugeot) kalonte në kufi pa u kontrolluar sikur të ishte mjeti i marrë me qira.
Në këtë linjë trafiku ka të përfshirë edhe policë tashmë të pezulluar. Emrat e Plotë:
Maradona Cenolli shtetasi, ndërsa punonjësit e policisë;
- Inspektor Markeljan Murati
- Inspektor Edison Mielli
- Inspektor Stelio Lushi
- Inspektor Mariglen Azisllari
Operacioni AMP vijon pasi dyshohet se në afro 1 vit janë mbi 150 mjete të vjedhura e trafikuara në Shqipëri. Ato janë kryesisht modele Toyota Rav 4 dhe Peugeot të cilat AMP do ti verifikoj me Drejtorinë e Transportit. Pasi vidheshin ato targoheshin në Shqipëri si të rregullta dhe shiteshin me një çmim më të lirë se vlera reale.
Njoftimi i AMP-s
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Giykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgiithshëm Korçë, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin M.C., 32 vjeç, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
AMP ekzekutoi gjithashtu vendimin e Gjykatës, për masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj 4 punonjësve të policisë:
- Inspektor M.M., 32 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë;
- Inspektor S.L., 56 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë;
- Inspektor E.M., 35 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë;
- Nënkomisar M.A., 28 vjeç, me detyrë Specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive në lidhje me këtë procedim penal, ka rezultuar se shtetasi M.C. ka trafikuar në Shqipëri automjete që rezutojnë të vjedhura në Greqi, duke iu bërë ndryshime në elementët identifikuese për t’i pajisur më pas me dokumente false, me qëllim shitjen në vendin tonë. Po kështu është arritur të dokumentohet me prova e fakte ligjore se punonjësit e Policisë, në shpërdorim të detyrës dhe në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, si edhe në shkelje të Procedurave Standarde të Punës, nuk kanë kryer verifikime mbi dokumentacionet e mjeteve, mungesat e prokurave apo autorizimet që duhet të dispononte shtetasi M.C. në momentin e futjes së këtyre mjeteve në territorin shqiptar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6 automjete të dyshuara të vjedhura, me vlerë 130 000 euro.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.
Hetimet vijojnë për përfshirje të shtetasve apo punonjësve të tjerë të policisë në këtë veprimtari kriminale.