2 vite burg për ish kryebashkiakun dhe 1 për shtetasen A.K ka dhënë gjykata e posaçme.
Njoftimi i Gjykatës
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurit Safet Gjici, i akuzuar për veprën penale“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe të pandehurës Alma Kaçi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Erjon Bani dhe Flojera Davidhi, me vendimin Nr. 41/128 Regjistri themeltar, datë datë 07.02.2024 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Safet Gjici për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
2. Në aplikim të nenit 406 te K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Safet Gjici me 2 (dy) vjet burgim.
3. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Safet Gjici fillon nga dita e ndalimit më datë 24.06.2023 dhe referuar ligjit nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një institucion të sigurisë së zakonshme.
4. Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurit Safet Gjici i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.
5. Deklarimin fajtore të të pandehurës Alma Kaçi, lidhur me kryerjen e veprës penale “Prostitucioni” parashikuar nga neni 113 parg. 1 i Kodit Penal dhe dënimin e saj në bazë të kësaj dispozite me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
6. Në aplikim të nenit 406 te K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurën Alma Kaçi me 1 (një) vit burgim.
7. Vuajtja e dënimit për të pandehurën Alma Kaçi fillon nga dita e ndalimit më datë 24.06.2023 dhe referuar ligjit nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një institucion të vuajtjes së dënimit për femra.
8. Lidhur me provat materiale disponohet sipas kërkesës së Prokurorisë.
9. Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimit dhe ato gjatë gjykimit ju ngarkohen solidarisht të pandehurve.
10. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar.
Tiranë, më datë 07.02.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar