11 shtetas të rinj, 8 prej të cilëve nga Kosova, u betuan sot para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare. Mes tyre ishte edhe balerini me famë ndërkombëtare, Eno Peçi.
Në ceremoninë e betimit, kryebashkiaku Veliaj i uroi të gjithë për rrugëtimin e tyre të ri si shtetas të Shqipërisë, ndërsa i ftoi të bëhen pjesë e aktiviteteve të përditshme që zhvillohen në Tiranë.
“Kemi pasur një fillim viti të jashtëzakonshëm. E nisëm me Presidencën e B40, më pas ndodhi vizita e Sekretarit të Shtetit Amerikan, pastaj u zhvillua Samiti për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor. Nga java tjetër Tirana do të ketë një pafundësi aktivitetesh me Ditën e Verës, pastaj gjatë gjithë vitit do të punojmë për t’i dhënë më shumë jetë qytetit. Vitin tjetër Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Shpresoj që do ju shoh edhe në shumë aktivitete, do jeni aktivë edhe në jetën e qytetit. Ju uroj shumë sukses dhe shpresoj se do jepni kontributin tuaj dhe do pasuroni jetën e qytetit tonë, bashkë me familjet tuaja dhe me shtetësinë tuaj të re në këtë skuadër që është skuadra jonë Shqipëria”, tha Veliaj.
Ai shtoi se dëshira e tij e madhe është që qytetarët e rinj të Tiranës ta mbështesin njëri-tjetrin në ditë të mira, e në ditë të vështira. “Besimi im është që të jemi bashkë edhe në ditët e mira, por edhe në ditët kur kemi sfida e vështirësi. Të qënit bashkë, i dyfishon gëzimet; kur kemi halle, të qenit bashkë i përgjysmon hallet. Shpresoj shumë që besoni tek ky mision”, përfundoi Veliaj.
Njofton zyra e shtypit pranë Bashkisë Tiranë
Foto ngjashmëria
E teksa në foton e shpërndarë nga bashkia janë qytetarët me z.Veliaj, ajo që bie në sy është se në rreshtin e parë në mes është një zotëri që ka ngjashmëri fizike me deputetin demokrat z.Edmond Spaho.