Dy vjet nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, vjen kundërpërgjigjia nga aleanca ushtarake e NATO.
Suedia, vendi nordik që ndan kufirin me Rusinë, i është bashkuar zyrtarisht NATO-s, duke u bërë vendi i 32 që i bashkohet aleancës më të madhe ushtarake në botë.
Anëtarësimi i Suedisë në NATO është në fakt një kundërpërgjigje ndaj Rusisë. Vendi nordik kërkoi t’i bashkohej Aleancës së Atlantikut të Veriut pas agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës.
Kryeministri i Suedisë i dorëzoi sot në Uashington qeverisë amerikane dokumentacionin përfundimtar për anëtarësimin, fill pasi të gjitha vendet e NATO-s ratifikuan në parlamentet respektive pranimin e këtij shteti.
“Gjërat e mira vijnë për atë që janë të duruar. Ky është moment historik për Suedinë, për aleancën dhe për marrëdhëniet transatlantike”, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pasi mori në dorëzim dokumentacionin suedez.
Zyrtarisht nga sot, Suedia është shtet anëtar i NATO-s.