Policia italiane ka arrestuar një 23-vjeçar shqiptar si një nga autorët e dyshuar të masakrës me armë në Frosinone të Italisë mbrëmjen e 9 Marsit.
I arrestuari akuzohet se është njëri nga personat që qëlloi me armë ndaj grupit të shqiptarëve që ishte ulur në një lokal.
Sipas Rai, përleshja me armë nuk ka ndodhur mes grupit shqiptar dhe maroken, por ka qenë tërësisht konflikt mes shqiptarësh, ndryshe nga sa u raportua një ditë më parë në momentet fillestare të ngjarjes.
Tashmë është rindërtuar dinamika, bazuar edhe në kamerat e sigurisë. Mediat italiane shkruajnë se në tavolinën e lokalit kanë qenë të ulur 5 persona.
Aty mbërriti një makinë Lancia nga e cila zbritën 4 vetë dhe shkuan në drejtim të tavolinës së shqiptarëve.
Njëri prej tyre filloi të hapte zjarr dhe dyshohet se është pikërisht 23-vjeçari shqiptar i arrestuar.
Plumbat prekën 4 persona duke shkaktuar një bilanc me 1 të vrarë dhe 3 të plagosur. Një 27-vjeçar shqiptar vdiq në vendngjarje, edhe pse për 20 minuta ju bë masazh kardiak. Ai kishte plumb në qafë dhe në gjoks.
Një i dytë që nga mediat italiane u raportua se kishte ndërruar jetë, mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua në spital. Dy të plagosurit e tjerë ishin më lehtë dhe u dërguan gjithashtu në spital.
Hetuesit italianë kanë shpallur në kërkim edhe 3 bashkëpunëtorët e shqiptarit të arrestuar. Ata dyshojnë se ngjarja ka ndodhur si pasojë e larjes së hesapeve mes bandave shqiptare për kontroll territori për shitjen e drogës dhe prostitucionit.
23-vjeçari shqiptar u arrestua pak orë pas përleshjes me armë dhe akuzohet për vrasje me paramendim dhe vrasje e trefishtë e mbetur në tentativë.
Ndërkohë, viktima shqiptar është identifikuar por emri i tij nuk është bërë publik. Në rajonin e policisë në Frosinone shkuan familjarët e të ndjerit, të cilëve ju shpjegua edhe dinamika e krimit nga ana e hetuesve.