Ylli i kinematografisë hollivudiane Sharon Stone i është rikthyer çështjes së publikuar prej saj në vitin 2021 kur shprehej se një producent i kishte kërkuar të kryente marrëdhënie seksuale me kolegun e saj Billy Baldwin, vëllain e aktorit Alec Baldwin.
Në librin me kujtime që ajo publikoi në vitin 2021 me titull “The Beauty of Living Twice”, Stone shkroi se një producent i kishte sugjeruar të kryente marrëdhënie seksuale me aktorin Baldwin për të përmirësuar kiminë mes tyre në filmin “Sliver”, por nuk kishte thënë se cili ishte ai producent.
Aktorja 66-vjeçare gjatë një interviste për podkastin e Louis Theroux tregoi se producenti ishte i ndjeri Robert Evans, i cili ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare në vitin 2019. Duke kujtuar atë moment aktorja u shpreh se ajo duhej të ishte në setin e xhirimeve, por iu kërkua të takonte producentin në zyrën e tij për të folur lidhur me kiminë e saj me Baldwin.
“ Evans ecte përgjatë zyrës së tij me syze dielli, duke më shpjeguar sesi kishte fjetur me Ava Gardner dhe unë duhej të flija me Billy Baldwin, pasi nëse flija me të performanca e tij në film do të kishte përmirësim. Ne na duhet që Billy të përmirësohet në film, pasi ai ishte problem,” tha Stone. Duke shpjeguar logjikën e Evans ajo vijoi se nëse do të flinte me Billyn atëherë ata do të kishin kimi në ekran dhe nëse do të kryenin marrëdhënie seksuale atëherë do të shpëtonte filmin.
“Problemi i vërtetë në film isha unë pasi isha shumë mendjengushtë dhe jo një aktore e vërtetë, e cila thjesht mund të kryente marrëdhënie seksuale me të dhe çdo gjë do t’i kthehej normalitetit”, tha Stone.
Por duket se aktori Billy Baldwin nuk ka qëndruar i heshtur dhe i është përgjigjur aktores me anë të një postimi me ironi në llogarinë e tij në “X”(Twitter).
“Nuk jam e sigurt pse Sharon Stone vazhdon të flasë për mua pas gjithë këtyre viteve? A është ende e dashuruar me mua apo është ende e lënduar pas gjithë këtyre viteve pasi e shmanga? A i tha ajo shoqes së saj Janice Dickinson një ditë pas xhirimit, ‘Unë do ta bëj atë të dashurohet kokë e këmbë me mua?”, shkroi ai në “X”.
Në postimin e Baldwin vijoi se gjatë takimit që kishte me producentin e ndjerë Evans i ishte lutur që as të mos puthej me Stone jo më të kryente marrëdhënie seksuale. “Pyes veten nëse duhet të shkruaj një libër dhe të tregoj shumë, shumë histori të turpshme, të pahijshme dhe joprofesionale për Sharon? Kjo mund të jetë argëtuese”, përfundoi aktori.