Vitet e fundit kanë qenë ndër më të suksesshmet për këngëtaren me origjinë shqiptare Dua Lipa e mesa duket ajo është duke u përgatitur për albumin e saj të radhës, për të cilin më herët kishte publikuar vetëm titullin “DL3”.
Tashmë ajo ka bërë të ditur për fansat dhe ndjekësit e saj shumë më tepër se çfarë pritet të këtë albumi i saj i tretë. I titulluar “Radical Optimism” albumi i saj i tretë do të publikohet më 3 Maj dhe do të ketë 11 këngë, mes të cilave edhe më të fundit të publikuara si “Houdini” dhe “Training Season”.
“Disa vjet më parë, një mik më prezantoi me termin Optimizëm Radikal. Është një koncept që më bëri çudi dhe u bëra më kurioze teksa fillova të luaja me të dhe ta fusja në jetën time. Më goditi ideja për të kaluar me hijeshi nëpër kaos dhe për t’u ndjerë sikur mund të përballosh çdo stuhi”, është shprehur Dua Lipa gjatë konferencës për shtyp lidhur me albumin e saj të tretë.
Sipas saj, albumi vjen i frymëzuar nga energjia e vendlindjes së saj, Londrës si dhe nga vrazhdësia, ndershmëria, besimi dhe liria e popit britanik të viteve ’90.