Nismës së Bashkisë së Tiranës për mbjellje pemësh i janë bashkuar edhe nxënësit e shkollës “Besnik Sykja”, të cilët në ditën e tyre të pushimit zgjodhën të kontribuojnë për një qytet më të gjelbër.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se synimi i nismës së ndërmarrë nga bashkia është që deri në vitin 2030 në Tiranë të jenë mbjellë 2 milionë pemë.
“Për të pasur një qytet që sot ka mbi 1 milionë pemë të reja, duhen mbjellë nga disa qindra çdo ditë. Nuk do të humbasim kohë, që vitin tjetër të kemi një Ditë Vere edhe më të gjelbëruar dhe një Tiranë me më shumë oksigjen. Do fillojmë punën që sot, dhe do të shfrytëzojmë çdo ditë, deri sa toka të jetë e përshtatshme për mbjellje. Sa të ketë shira dhe të ketë mjaftueshëm lagështirë, do të shfrytëzojmë çdo ditë për të mbjellë qindra pemë të tjera e për t’u siguruar që edhe këtë vit e kalojmë atë nivelin 150 mijë pemë në vit, për të mundësuar që deri në 2030 të kemi mbjellë 2 milion pemë në Tiranë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku falenderoi nxënësit e shkollës “Besnik Sykja” që treguan se janë qytetarë të mirë dhe që i kushtojnë rëndësi nismave të marra nga Bashkia Tiranë.
“Është shumë kollaj të gjykosh dikë që mbjell pemë sepse kur je në divan çdo gjë të duket shumë e lehtë. Është shumë kollaj të jesh cinik kur je në karrige, përpara internetit, për t’i dhënë mend gjithë dynjasë. Por të marrësh lopatën është një çikë më e vështirë se do të thotë se dikush çohet me një mison për qytetin. Nëse misionet më para ishin të merrje armët në dorë dhe të mbroje këtë vend, sot e mbrojmë vetëm duke e lulëzuar, duke e bërë më të begatë, edhe më të gjelbër. Dua të falenderoj “të madh e të vogël”, nga Teo edhe Fjodora, tek çunat dhe gocat fantastike të shkollës “Besnik Sykja”, që kanë sot një shkollë të re. Besoj që përveç se janë nxënës të mirë, janë edhe qytetarë të mirë. Një qytetar i mirë del edhe në ditë pushimi për të dhënë një kontribut dhe për të lënë një shenjë në qytet”, nënvizoi Veliaj.
Në fund, ai ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të japin kontributin e tyre për një qytet më të gjelbër dhe me më shumë oksigjen.