Katër të rinj kanë dhunuar barbarisht me shkopinj bejsbolli një 30-vjeçar në Korçë ditën e sotme në lagjen nr.16. WebLajm ka siguruar pamjet e këtij sherri, kur 4 të dyshuarit të identifikuar nga policia si S.S., K.S., M.Xh. dhe E.G. dhunojnë 30-vjeçarin me iniciale R.H.
Ngjarja ndodhi në ambientet e brendshme të një servisi makinash, që në fakt nuk kishte asnjë lidhje me personat e përfshirë. 30-vjeçari i dhunuar u dërgua në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia i ka shpallur në kërkim 4 autorët. Nga hetimet e kryera dyshohet se ky konflikt ka ndodhur pas një konflikti të mëparshëm të ndodhur më datë 14.02.2024 në Korçë, midis shtetasit S. S., të dhunuarit të sotëm R. H. dhe vëllait të këtij të fundit.
Për ngjarjen ka reaguar dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, ai ka marrë kontakt direkt me familjen e të dhunuarit ndërsa apelon policin që sherret mes të rinjve ti shoh si një këmbanë alarmi.
“Policia e Shtetit duhet t’i kushtojë gjithmonë e më shumë vëmendje rasteve të dhunës mes adoleshentëve dhe të rinjve, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të tyre në ngjarje kriminale. Rasti i sotëm në Korçë, apo ai i pak ditëve më parë në Fier, janë alarme që duhet ta mbajnë Policinë e Shtetit të vëmendshme dhe ndaj këtij fenomeni. Konfliktet nisin shpesh herë online dhe më pas degradojnë në dhunë fizike apo akte kriminale”, ka shkruar ministri Balla në rrjetet sociale.