Kalimi në seancë plenare me votim të zgjatjes së ligjit për investitorët strategjik e jo vetëm më 7 mars 2024 ka sjellë një situatë në kufijtë e manipulimit dhe falsifikimkt.
Këtë e thotë zv.kryetari PD z.Gazment Bardhi i cili i kërkon Kuvendit ta anulojë atë votim e rezultat në punimet e drejtuara nga nënkryetarja Ermonela Felaj.
Kërkesa e Plotë e Bardhit
KUVENDI
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike
Lënda: Kërkesë për deklarimin e pavlefshmërisë anullimin e votimeve të kryera në seancën plenare të datës 07.03.2024.
Drejtuar: Znj. Lindita NIKOLLA
Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën.
Këtu
Znj. Kryetare e Kuvendit,
Anëtarë të Sekretariatit,
Në rendin e ditës të seancës plenare të datës 07.03.2024, ishin të përfshira për shqyrtim 4 projektligje, përkatësisht projektligji “Për burimet ujore”, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 93/2015 “Për Turizimin”, të ndryshuar, projektligji “Për disa ndryshime në Ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe projektligji “Për një ndryshim në Ligjin nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, të ndryshuar”. Me propozim të deputetes Evis Kushi dhe kërkesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Bledi Cuci, është përfshirë në rendin e ditës edhe projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 15/2017 “Për arsimin dhe formimin profesional”.
Megjithatë, nga verifikimi i kryer nga drejtuesja e seancës për numrin e deputetë të pranishëm kanë rezultuar 68 deputetë, të cilët edhe kanë marrë pjesë në votimin e pesë projektligjeve të sipërcituara. Nga ana ime si deputet dhe kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, është ngritur në mënyrë të përsëritur mungesa e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje, çka i bënte votimet e kryera për pesë projektligjet absolutisht të pavlefshme. Konkretisht, neni 78, pika 1 e Kushtetutës parashikon se: “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar.”. Në interpretim të kësaj dispozite, Gjykata Kushtetuese është shprehur: “Numri i anëtarëve të pranishëm për zhvillimin e procedurave vendimmarrëse është të paktën gjysma plus një e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, pra 71 deputetë. Rritja e pranisë në proçesin e votimit mbi kuorumin e domosdoshëm sjell rritje të numrit të anëtarëve që votojnë. Vendimi i Kuvendit konsiderohet i miratuar kur për të kanë votuar pro jo më pak se gjysma plus një e anëtarëve që janë të pranishëm.” (shih vendimin nr. 29, datë 21.10.2009 të Gjykatës Kushtetuese).
Më tej, duke elaboruar qëndrimin e saj, Gjykata është shprehur se: “Gjykata konfirmon qëndrimin e saj se për përcaktimin e kuorumit në një proces votimi duhet t’i referohemi vetëm numrit të deputetëve që kanë votuar dhe jo numrit të përgjithshëm të deputetëve që ndodhen në sallë dhe që nuk votojnë. Gjykata çmon se një deputet që nuk shpreh vullnet me votën e tij dhe si rrjedhojë nuk ndikon në proçesin e votimit në Kuvend nuk duhet të llogaritet në konceptin “shumicë e të pranishmëve” për efekt të kuorumit të votimit. Nëse do të pranonim të kundërtën, atëherë do të prodhohej një rritje artificiale dhe e pajustifikuar e kuorumit, gjë e cila nuk është në përputhje me qëllimin e ligjvënësit.” (shih vendimin nr. 44, datë 07.10.2011 të Gjykatës Kushtetuese).
Në zbatim të këtyre vendimeve, Kuvendi i Shqipërisë me vendimin nr. 85, datë 18.07.2019, ka ndryshuar nenin 55 të Rregullores së Kuvendit, i cili parashikon se: “2. Kuorumi për çeljen e votimit parlamentar është të paktën 71 deputetë. 4. Për përcaktimin e kuorumit dhe të shumicës së deputetëve, sipas parashikimit të pikës 3 të këtij neni, Kryetari i Kuvendit i referohet vetëm numrit të deputetëve që kanë votuar.”. Pra, për vlefshmërinë e një proçesi votimi kërkohet jo vetëm që 71 deputetë të jenë të pranishëm në sallë, por 71 deputetë të marrin pjesë efektivisht në votim. Në të kundërt, siç është shprehur Gjykata Kushtetuese, një deputet që nuk merr pjesë në votim, nuk mund të përllogaritet për efekt të kuorumit. Ky është qëllimi që neni 56 i Rregullores parashikon detyrimin e Kryetarit të Kuvendit për të verifikuar kuorumin e nevojshëm përpara çdo votimi dhe në rast se kuorumi mungon, Kryetari e shtyn votimin ose e anullon atë.
Në rastin konkret, për të pesë projektligjet e votuara, numri i deputetëve që kanë marrë pjesë në votim ka qenë më i ulët se kuorumi minimal i kërkuar nga neni 78, pika 1, e Kushtetutës së Shqipërisë, dhe neni 55, pika 2, e Rregullores së Kuvendit. Ky pretendim është ngritur në seancë në mënyrë të përsëritur nga ana ime, por çuditërisht nuk është marrë në konsideratë, çka i bën shkeljet e kryera me dashje të plotë. Në rast kur votimi kryhet në kundërshtim me Kushtetutën ose Rregulloren e Kuvendit, neni 61 parashikon se ai është i pavlefshëm, e për rrjedhojë Kryetarja e Kuvendit, pasi merr mendimin e Sekretariatit për Procedurat dhe Votimet, urdhëron anullimin e votimit dhe përsëritjen e tij.
Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të nenit 78, pika 1 të Kushtetutës, nenit 55, pika 2 dhe nenit 61, pika 1 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj anullimin e votimeve të kryera në seancën plenare të datës 07.03.2024. Në të kundërt, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.