Gjykata e Korçës ka liruar nga paraburgimi 4 të rinjtë e arrestuar për dhunën e ushtruar ndaj një 30-vjeçari që e goditën parreshtur me shkopinj bejsbolli.
Ditën e sotme, gjykata e konsideroi të paligjshëm arrestimin e të rinjve nga policia dhe vendosi që t’i lirojë duke caktuar detyrim paraqitje për 4 autorët e dhunës, Spartak Selimi, Kristi Selimi, Marsel Xhakollari dhe Erjon Gurra.
Edhe Prokuroria kërkoi në fakt detyrim paraqitje për 4 të rinjtë, kërkesë që u pranua nga gjykata, por që arrestimin e konsideroi të paligjshëm dhe vendosi t’i lirojë menjëherë. Ndaj tyre është ndryshuar edhe cilësimi i veprës penale, në plagosje të lehtë me dashje.
Katër të rinjtë u arrestuan 4 ditë më parë pasi dhunuan barbarisht me sende të forta një 30-vjeçar, duke e goditur me shkopinj bejsbolli.
DY NJOFTIMET E GJYKATËS SË KORÇËS:
Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 28.03.2024 ora 09.30 seanca me objekt “Vleftësim ndalimi, caktim masë sigurimi” ndaj shtetasve E.G, K.S, M.XH, S.S ku Gjykata vendosi: mos vleftësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës se sigurimit ” detyrim për tu paraqitur ne Policinë Gjyqësore” për këta shtetas.
Në vijim te plotësimit të informacionit ju bëjmë me dije se: Gjykata pasi morri në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë për vleftësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit, detyrim për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore ndaj shtetasve ne fjalë, si të dyshur për kryerjen e veprës penale “plagosje e lehtë me dashje” vendosi: mos vleftësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit ” detyrim për tu paraqitur ne Policinë Gjyqësore” për keta shtetas.