Bukuritë e plazheve dhe bregdetit shqiptar sërish kanë qenë në qendër të vëmendjes së faqeve prestigjioze të huaja.
Këtë herë britanikja ‘LAD Bible’ i ka kushtuar një shkrim plazhit të Ksamilit duke e krahasuar si “Maldivet e Evropës”. Sipas këtij shkrimi vendi ynë mund të krahasohet vërtetë me Maldivet falë Ksamilit, por është shumë më afër Britanisë dhe me kosto më të përballueshme.
“Me plazhe me rërë të bardhë, ujëra të kristalta dhe mot të bukur duket tamam si parajsë. E vetmja pengesë e vogël është se fluturimet shkojnë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, ku më pas me makinë për në Ksamil është një udhëtim prej 4 orësh, por prapëseprapë më shpejt se fluturimi për në Maldivet e vërteta”, thuhet ndër të tjera në artikullin e LAD Bible.
Gjatë shkrimit të britanikes janë shtuar edhe postime nga ndjekës të ndryshëm në rrjetin social X ku tregojnë eksperiencat e tyre lidhur me vendin tonë duke e cilësuar “një nga udhëtimet më të mira”.
“Në një mbledhje pune dje, dikush tha se do të shkonte në Shqipëri dhe dikush tjetër tha mesa duket janë si “Maldivet e Evropës”, pak persona qeshën”.
“Unë shkoj shpesh është vërtet bukur atje. Njerëzit janë kaq mikpritës dhe ushqimi është fantastik. Është një nga vendet e pakta në Evropë që mund të vizitosh, i cili ende nuk është ngopur nga kapitalizmi perëndimor.”