7 emigrantë dhe një shofer shqiptarë kanë ndërruar jetë. Ngjarja e rëndë është shënuar në aksin në afërsi të Këlcyrës. Vetura e cila bënte transport klandestinësh ka rënë në lumë. Shkak dyshohen manovrat e shoferit rreth orës 04:00 për të shmangur kontrollin e policisë.
Shoferi është Sokol Ismeti nga Shkodra që po transportonte emigrantë të paligjshëm në aksin Këlcyrë- Përmet. Ai me shpejtësi dyshohet se ka tentuar t’i ikë policisë dhe ka humbur kontrollin e mjetit ‘Benz’.
“Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë. Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra) njofton policia e shtetit.
Deri para pak minutash grupi hetimorë 6 trupa të pajetë i ka nxjerrë nga mjeti, ndërsa 2 kanë ngelur ende brenda ‘Benz’-it. Sakaq, dyshohet se makina është marrë me qira, ndërsa priten të tjera verifikime nga ana e policisë.