Tirana tashmë është kthyer në atraksion për produksione të mëdha të huaja, të cilat e kanë vendosur kryeqytetin tonë në hartën e tureve ndërkombëtare.
I tillë është edhe “Las Vegas Magic Festival”, një produksion ekskluzivisht nga Las Vegas ku në turin e saj ndërkombëtar ka përfshirë dhe Shqipërinë. 7 prej alkimistëve më të talentuar të kohëve moderne do të vijnë në datat 5-6-7 prill në Pallatin e Kongreseve për të na dhuruar momente magjie, humor dhe emocione të papërshkrueshme.
Ata u pritën në takim nga kryebashkiaku Erion Veliaj i cilu u dhuroi atyre edhe Kullën e Sahatit. Gjatë fjalës së tij Veliaj u shpreh se aktivitetet në kuadër të vitit “Tirana Kryeqytet Mesdhetar i Kulturës” kanë filluar një vit më herët.
Ai u bëri thirrje të gjithë fëmijëve të kryeqytetit të ndjekin nga afër shfaqjen, duke theksuar se pavarësisht se vijmë nga kombe të ndryshme na bashkon arti, magjia dhe kultura.
“Jam shumë i lumtur që një ekip që ka ardhur nga disa vende të Europës dhe botës, këtë tur e ka sjellë edhe në Tiranë. Kalamajtë do kënaqen me bukurinë që sjell magjia, arti dhe skena. Por unë besoj që edhe ne si qytet kemi nevojë për pak pushim. Është momenti kur ka ndërruar stina, kur kemi energji të reja dhe më vjen mirë që kjo trupë me kaq shumë energji pozitive dhe entuziazëm na ka nderuar në Tiranë. Ne jemi pjesë e turit, pas Athinës ka qenë Tirana. Në një qytet që do të jetë kryeqyteti mesdhetar i Kulturës, më vjen mirë që aktivitetet kanë filluar që një vit përpara. Shpresoj që fëmijët e Tiranës të gëzohen të kënaqen dhe të kuptojnë, që pavarësisht se ne vijmë nga kombe të ndryshme, flasim gjuhë të ndryshme ka diçka që na bashkon, që është arti, magjia dhe kultura”, tha Veliaj.
Iluzionistët që do të ngjiten në skenë kanë rrëmbyer një seri çmimesh prestigjioze si Merlin, ekuivalente të çmimeve Oscar, Guinness ejt. “Las Vegas Magic Festival” do të kthehet në destinacionin e preferuar të familjeve, të rinjve e kujtdo tjetër fundjavën e 5, 6 dhe 7 prillit.
Një shfaqje ekskluzive dhe e veçantë për të gjithë që padyshim nuk duhet humbur.